Edhe pse Shqipëria ka një nga popullsitë më të reja në Europë, kjo grupmoshë vuan të gjejë një vend pune të denjë për të krijuar një të ardhme.

Sipas një studimi të INSTAT papunësia është edhe faktori kryesor, pse të rinjtë zgjedhin të largohen nga vendi, ndërsa arsyeja e dytë është krijimi i të ardhurave më të mira në një vend më të zhvilluar.

Fatjon Biba, student në Master tregon se të rinjtë në Shqipëri hasen me problematika të ndryshme kur kërkojnë punë, ndërsa shumë prej tyre janë dhe të demotivuar:

Fatjon Biba: Kompanitë që të të punësojnë kanë kriter të domosdoshëm eksperiencën, por ndërkohë ti je një student që sa ke dalë nga bankat e shkollës dhe nuk e ke këtë eksperiencë, sepse universiteti në shumicën e rasteve nuk i ka praktikat e punës. Shumë të rinj janë të demotivuar, shumë nga miqtë që ulem në kafe biseda që bëjmë është do ikim sot do ikim nesër, se nuk bëhet se ka mungesë meritokracie dhe këto janë faktorë që realisht ndikojnë. Nuk kam parë shumë kompani t’i japin mundësi të rinjve, sepse ndoshta ka kosto për ta.

Enxhi Lipa, përgjegjëse hulumtimi në Kongresin Rinor Kombëtar shpjegon se arsimi dhe tregu i punës në Shqipëri nuk përputhen:

Enxhi Lipa: Në momentin që një i ri mbaron studimet nuk di ku të drejtohet të marrë një informacion mbi mundësitë që ekzistojnë, por edhe aftësitë që kërkojnë në treg. Mospërputhshmëria midis politikave të edukimit dhe atyre çfarë kërko tregu i punës është një problem që shqetëson të rinjtë, kjo sepse tregu i punës është shumë dinamik, ndërkohë që kurrikulat shkollore duan pak më shumë kohë të hartohen dhe të implementohen.

Për Kleona Bendon studente në farmaci, synimi është të largohet jashtë vendit pas studimeve. Sipas saj, arsyet nuk janë vetëm ekonomike:

Kleona Bendo: Atëherë në planet e mia afatgjata unë synoj që të punësohem jashtë vendit. Besoj se kjo dëshirë bazohet në kushtet e mira të punës që ofrohen jashtë vendit, në një vend në Europë, mund të më ofrojë një stil më të mirë jetese dhe një pakësim të stresit që jetoj këtu. Mendoj se është një cc’rregullim i të gjithë mekanizmave në shoqërinë tonë dhe jashtë shtetit të ofrohet më shumë drejtësi, mund të marrësh me të vërtetë atë që meriton dhe mendoj se puna do më vlerësohet më shumë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA