“Open Balkan u nxit nga biznesi”/ Kryetari i dhomës së tregtisë së Serbisë: U rritën shkëmbimet

21/12/2021 19:06

Sipas shifrave të tregtisë së jashtme vendet e Ballkanit Perëndimor bashkëpunojnë më shumë me tregjet e Europës, Kinës apo Turqisë, por shumë pak me tregjet e njëra-tjetrës.

Liderët kanë marrë një iniciativë të re “Open Balkan”, që sipas tyre do përshpejtojë procesin e Berlinit për të krijuar një treg të përbashkët rajonal dhe më konkurrues në ekonominë globale.

I të njëjtit mendim është edhe presidenti i Dhomës së Bizneseve dhe Tregtisë së Serbisë, Marko Cadez. Ai shprehet se iniciativa Open Balkan është e shtyrë nga bizneset dhe problemet reale të njerëzve në rajon.

“Që kur filluam bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Serbisë 8 vite më parë në Nish, volumi i tregtisë ishte gati zero, ndërsa tani është dyfishuar. Vetëm vitin e shkuar kemi një rritje me 27% të volumit të përgjithshëm tregtar. Është interesant edhe fakti se rritja e eksporteve shqiptare në Serbi çdo vit është 30% më e lartë, një përqindje jo e vogël. Ky bashkëpunim mund të zgjerohet. T’ju jap një shembull, ju keni nevojë për punëtorë gjatë sezonit veror, ndërsa ne i pëlqejmë shumë perimet që ju eksportoni dhe do donim më shumë nga to.

‘Open Balkan’ vjen si shtysë nga bizneset dhe jo politika. CEFTA ishte një marrëveshje e mirë për fillim-vitet 2000, por ai mekanizëm nuk po funksionon më, është shumë i avashtë. Prandaj na duhej një shtysë e re dhe hapa realë”.

Edhe pse “Open Balkan” është i hapur për të gjashtë vendet, vetëm tre prej tyre i janë bashkuar nismës, me Kosovën që refuzon në mënyrë kategorike pa njohjen reciproke të Serbisë. Cedaz shprehet se tregtia do t’i tejkalojë problemet politike.

Edhe pse nuk janë bashkuar, shoh një vullnet të mirë nga komunitet e bizneseve në të gjashtë vendet. Ca prej tyre kanë pengesa politike, ndërsa të tjerë po presin çfarë do ndodhë. Pas firmosjes së marrëveshjeve në samitin e Tiranës besoj se loja do ndryshojë. Ato do bashkohen, sepse do shikojnë përfitimet reale. Kjo është e vërtetë dhe për Kosovën. Edhe komuniteti biznesit atje ka një dëshirë të mirë për bashkëpunim dhe mendoj që ku ka dëshirë, do të gjendet dhe zgjidhja.
Nuk kemi kohë të jetojmë në të shkuarën. Kemi të gjithë të njëjtat probleme në rajon dhe duhet të punojmë së bashku për t’i zgjidhur. Pandemia e tregoi fare qartë këtë. Kur vuan një nga ekonomitë tona, të gjithë vuajmë“.

Duke iu referuar të dhënave për vitin 2019 në shkëmbimet tregtare të mallrave në Ballkanin Perëndimor vihet re pozicioni dominues i Serbisë, e cila ka realizuar rreth 60% të eksportit ndër rajonal dhe 27% të importit, ndërsa Shqipëria realizoi vetëm 6.1% të eksportit ndër rajonal dhe vetëm 5.3% të importit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA