Erdogan godet dollarin, rritet menjëherë lira turke

21/12/2021 13:33

Publikimi i planit të Rexhep Tajip Erdoganit që u zotua t`i garantojë depozitat e valutës vendëse kundër luhatjeve të tregut, i ka dhënë krahë lirës turke që shënoi menjëherë rritje të vlerës me 15 për qind duke e vazhduar rimëkëmbjen historike pas niveleve të ulëta rekord.

Monedha turke u forcua duke u tregtuar me 11.09 njësi për një dollar amerikan, thotë Reuters.

Në një fjalim të mbajtur të hënën vonë, presidenti turk tha se një varg hapash do ta lehtësojnë barrën mbi valutën dhe do t’i inkurajojë turqit që të mbajnë kursime në lira e jo në dollarë. Ai nuk dha hollësi se si qeveria do ta financojë nismën potencialisht të shtrenjtë dhe inflacioniste. Shoqata e Bankave Turke tha se rreth 1 miliard dollarë u shitën në tregje pas njoftimit të presidentit turk.

Sipas llogaritjeve të tre punëtorëve bankarë, rreth 1 deri 1.5 miliard dollarë kursime u këmbyen në lira të hënën në mbrëmje. Lira ka rënë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave këtë vit për shkak të frikës rreth planit të qeverisë për uljen e shkallës së interesit dhe vetëm muajin e kaluar humbi rreth 40 për qind të vlerës.

Qeveria e ka cilësuar fitore të madhe rimëkëmbjen e lirës, megjithatë ekonomistët e kanë quajtur të pamatur planin ekonomik qeveritar të mbështetur në shkallë të ulët të interesit dhe kanë thënë se inflacioni, që tani për tani është mbi 21 për qind, do të shkojë në 30 për qind vitin e ardhshëm.

Top Channel