Szijjarto: Hungaria do t’i vë veto sanksioneve ndaj Dodikut

20/12/2021 16:27

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka thënë të hënën se Budapesti do të përdorë veton nëse Bashkimi Evropian propozon sanksione kundër anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Paralajmërimet e Brukselit pasuan një nismë të Parlamentit të Republikës Sërpska, më 10 dhjetor, për të transferuar disa kompetenca nga institucionet shtetërore. Vendimi parasheh fillimin e procedurës që entiteti serbe brenda Bosnje dhe Hercegovinës të tërhiqet nga ushtria boshnjake, shërbimet e sigurisë, sistemi i taksave dhe sistemi juridik.

“Nëse do të vendosen sanksione ndaj Dodikut, ne do të vëmë veton sepse besojmë se vendosja e sanksioneve ndaj Ballkanit Perëndimor nuk është hapi i duhur dhe mendojmë se ata që kërcënojnë me sanksione ndaj liderëve të serbëve nga Bosnje e Hercegovina do të ishte më e përshtatshme që të ulen me ta dhe të bisedojnë personalisht, përpara se të propozojnë sanksione”, tha Szijjarto pas takimit në Shkup me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Shefi i diplomacisë hungareze tha se për çështjet nga Ballkani Perëndimor duhet të bisedohet me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor dhe jo për Ballkanin Perëndimor.

“Andaj kushdo që kërcënon me sanksione duhet të shkojë në Banjallukë ose Sarajevë dhe të ulet për t’u konsultuar me ata që janë të përfshirë në këtë çështje”, tha Szijjarto.

Qeveria gjermane javën e kaluar i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të vendosë sanksione ndaj anëtarit të presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, duke thënë se përpjekjet e tij për të ndarë Republikën Sërpska nga forcat e armatosura, gjyqësori dhe sistemi i taksave të Bosnje e Hercegovinës, ishin të papranueshme për Gjermaninë.rel

Top Channel