NATO nis trupa në Bullgari e Rumani, Spiegel: Përgatitje për sulmin rus

20/12/2021 12:58

Amerikanët kanë propozuar që NATO të dërgojë 1500 ushtarë në dy vende të Ballkanit si kundërpërgjigje ndaj grumbullimit të trupave ruse në kufirin ukrainas, thotë gazeta gjermane Der Spiegel.

Gjenerali amerikan Todd D. Wolters, i ngarkuar me forcat aleate në Evropë, kohët e fundit u sugjeroi kolegëve të tij të NATO-s të rrisin praninë e trupave në këto dy vende, të cilat do të kishin forca të quajtura Prezenca e Përparuar e Përmirësuar (EFP), e formuar pesë vjet më parë.

Kontingjente të tilla të NATO-s gjenden në Poloni dhe në vendet baltike, e janë të përfshira në stërvitje me ushtritë lokale.

Ideja është që në rast konflikti, ato të dalin sa më parë në front teksa pritet të mbërrijnë më pas edhe përforcime të tjera.

NATO e justifikoi krijimin e njësive EFP me aneksimin e Krimesë, ndaj edhe tani konsiderohet se aktivizimi i tyre do të ishte një përgjigje e përshtatshme ndaj manovrave ushtarake ruse pranë kufirit ukrainas.

Spiegel citon Wolters të ketë thënë se NATO do të vazhdojë t’i përmbahet një marrëveshjeje me Rusinë që ndalon vendosjen e përhershme të trupave të forta në krahun lindor të aleancës.

Për këtë arsye, nuk ka trupa të përhershme në vendet baltike, por ushtarët bëjnë rotacion.

Nga selia e NATO-s nuk kanë konfirmuar apo mohuar pretendimet e gazetës gjermane, por një zëdhënëse tha se aleanca mbetet “vigjilente” dhe do të ndërmarrë “të gjitha hapat e nevojshëm” për të mbrojtur anëtarët e saj nga çdo kërcënim.

Top Channel