Hungaria në krah të Dodik: Veto nëse BE-ja sanksionon serbo-boshnjakun

20/12/2021 15:11

Hungaria do t`i vërë veton ndaj një propozimi të mundshëm për të vendosur sanksione ndaj anëtarit serb të presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik.

Pohimin e bëri ministri i jashtëm hungarez Peter Szijarto pasi shefja e re e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, e paralajmëroi në profilin e saj zyrtar në Facebook një skenar të tillë.

Ne jemi të shqetësuar për deklarata të tilla, sepse Bosnja dhe Hercegovina është afër nesh, ruajtja e stabilitetit dhe paqes në vend është interesi ynë bazë i sigurisë. Berlini është më larg, por jo aq larg sa të mos mund të fluturosh kurrë për në Banja Luka prej andej. Negocioni. Flisni me serbët. Me ta, jo për ta. Ndoshta kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni situatën”, tha Szijarto.

Ai shtoi se BE-ja mund të vendosë sanksione vetëm me vendim unanim të të gjitha shteteve anëtare.

Dhe vetëm për të qenë të qartë, Hungaria nuk do të japë mbështetjen e saj për asnjë sanksion kundër liderit të serbëve në BeH, Milorad Dodik. Nëse ka një propozim të tillë, ne do të vëmë veton. Dialog, jo sanksione, kjo është ajo që politika e BE-së do të duhej të bënte rreth Ballkanit Perëndimor në të ardhmen”, ka theksuar ministri hungarez.

Javën që shkoi , qeveria e re gjermane i bëri thirrje Brukselit për masa ndaj Milorad Dodik për shkak të përpjekjeve të tij për shkëputjen e Republikës Srpska dhe vendimin për t’u tërhequr nga niveli shtetëror.

Top Channel