Falen qindra “shtriga” në Skoci, si vulosi birra fatin e tyre

20/12/2021 11:59

Mijëra gra të akuzuara për magji në Skoci mes viteve 1563 dhe 1736 do të falen dhe rehabilitohen pas vdekjes, thonë mediat britanike.

Gjuetia e Madhe Skoceze e Shtrigave të vitit 1597 filloi pasi mbreti James VI i Skocisë miratoi Ligjet e Shtrigave, duke rezultuar në një seri gjyqesh në të gjithë vendin për rreth 400 njerëz, kryesisht gra dhe vajza, të akuzuara  për forma të ndryshme diabolizmi, duke nisur nga mallkimi, ndryshimi i formës në atë të një kafshe apo kërcënim me djallin.

Pas një fushate dy vjeçare, projektligji për këtë çështje në Parlamentin skocez ka marrë mbështetjen e administratës së ministres së parë të Skocisë, Nicola Sturgeon.

Deputetja e Partisë Kombëtare Skoceze, Natalie Don, sqaroi se projektligji mund të miratohet verën e ardhshme.

Duhet korrigjuar ky gabim, e të falen këta persona të kriminalizuar, kryesisht femra”, tha ajo.

The Guardian thotë se shenjat e lidhura me magjinë – fshesa, kazani, macja e zezë dhe kapelja me majë të zezë – lidheshin me  “alewives”, emri për gratë që prodhonin një lloj birre të lehtë, e cila përdorej në vend të ujit që kishte cilësi shumë të dobët.

Shenja e fshesës u tregonte njerëzve se birra ishte në shitje, kazani ishte vendi ku mbahej, macja përdorej kundër minjve që bënin kërdinë dhe kapelja i dallonte këto gra në treg.

Por gratë u përjashtuan nga prodhimi i birrës dhe u zëvendësuan nga burrat në momentin që ajo u kthye në një industri fitimprurëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA