Rreth shpërthimit të djeshëm, i cili i shkaktoi dëmtime të rënda 34 vjeçarit Indrit Sadedini, kamerat e sigurisë të bizneseve aty pranë janë sekuestruar nga policia dhe kanë vërejtur se rreth 15 minuta se të ndodhte shpërthimi, një person me kapuç në kokë ka kaluar aty pranë dhe ka hedhur një pako duke e mbuluar me letër që të mos binte në sy.
Ai largua i qetë në këmbë, ndërkohë që Sadedini ka dalë nga garazhi dhe kur ka kaluar afër lënda plasëse ka shpërthyer duke i dëmtuar këmbët. Policia është duke bërë veprimet për gjetjen e autorit dhe ka marre në pyetje 6 persona.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur kur i riu po ecte në trotuar. Prej kohësh Indrit Sadedini lëvizte me makinë të blinduar, ndaj duket se atentatorët e kanë vëzhguar duke e vendosur eksplozivin në rrugën që do ta çonte te pallati, të fshehur në një kuti kartoni që është aktivizuar nga larg me telekomandë kur ai kaloi në këmbë pranë saj.
Për shkak të plagëve të marra pas dërgimit në spitalin e Vlorës i riu u transferua te Spitali i Traumës në Tiranë. Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se pista që po hetohet si motiv për atentatin është ajo e pazarave të prishura të hashashit.
Katër vjet më parë një sasi lënde plasëse iu vendos në makinë dhe eksplozivi u neutralizua nga një ekip xhenierësh. Në bazë të kësaj ngjarjeje Indrit Sadedini kërkoi azil në Francë, por pa sukses.
Top Channel