Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës për vepra të ndryshme penale dhe një është proceduar penalisht.

Një 28-vjeçar i identifikuar me inicialet I.R., u ndalua nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë pasi ishte shpallur në kërkim. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 25.05.2021, e ka dënuar me 10 ditë burg për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufijve”. Veprimet e mëtejshme, u kryen nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë DVP-Korçë.

Ndërsa 55-vjeçari i identifikuar me inicialet N.H., u arrestua në flagrancë për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, pasi në kundërshtim me vendimin e gjykatës, ka ushtruar dhunë psikologjike, në banesën e saj, ndaj ish-bashkëshortes V. L., 44 vjeçe, banuese në Korçë, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të shtetasit K. Ç., 55 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 8, Korçë, u kap duke drejtuar mjetin tip “Opel”, në gjendje të dehur.

Është proceduar penalisht 21 vjecari R.K., banues në Tiranë, pasi në afërsi të fshatit Pendavinj, Korçë, ishte duke drejtuar mjetin tip “Benz”, dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë së qarkullimit rrugor, për të ndaluar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA