Protesta në disa kryeqytete evropiane kundër masave kufizuese

19/12/2021 17:45

Në disa vende evropiane, njerëzit nuk e kanë pritur mirë rivendosjen e masave kufizuese nga autoritetet, në përpjekje për të vënë nën kontroll rritjen e infeksioneve me koronavirus pas shfaqejes së variantit shqetësues “Omicron”.

Qeveria holandeze ishte e para që vendosi një izolim të ri mbarëkombëtar duke filluar nga e diela. Kryeministri në detyrë, Mark Rutte tha se të gjitha dyqanet, lokalet dhe restorantet jo thelbësore në Holandë do të mbyllen deri më 14 janar. Ky vendim që shkaktoi një zhgënjim tek qytetarët, ndalon gjithashtu edhe mbledhjen e shumë njerëzve gjatë festave të fundvitit.

Mijëra protestues paqësorë demonstruan në qendër të Brukselit këtë të dielë, për të tretën herë. Forca të shumta policie u vendosën në rrugë në pritje të turmave, duke pasur parasysh se protestat e mëparshme kishin përfunduar në dhunë.

Protesta e Brukselit ndodhi një ditë pas protestave në kryeqytete të tjera europiane, përfshirë Parisin dhe Londrën.

Në muajin janar në Francë do të kërkohet certifikata e vaksnimit që njerëzit të kenë mundësi të futen në vende publike, ndërsa qeveria shpreson se kjo masë do të bindë më shumë qytetarë të vaksinohen. Autoritetet shëndetësore në Francës pritet të miratojnë gjithashtu vaksinimin për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, një tjetër politikë që shumë protestues e kundërshtojnë.

Protesta kundër masave kufizuese në Londër përfundoi në dhunë. Policia u përlesh me një grup protestuesish pranë rezidencës së kryeministrit Boris Johnson. Një numër oficerësh u plagosën, por deri më tani nuk është bërë asnjë arrestim, tha policia.

Britania është në një situatë alarmante sa i përket numrit të infektimeve nga varianti “Omicron”, ndërsa autoritetet shëndetësore thonë se kjo mund të jetë vetëm maja e ajsbergut. Po ashtu presioni ndaj sistemit shëndetësor po rritet pasi shtrimet në spitale janë rritur me 30 për qind.

Protesta të ngjashme kundër masave kufizuese u zhvilluan edhe në Spanjë, Itali dhe Gjermani.

Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se varianti “Omicron” i koronavirusit është zbuluar në 89 vende.voa

Top Channel