“Zgjedhim të ardhmen”/ Demokratët e Bashës mbërrijnë para Pallatit të Kongreseve me banderola në duar

18/12/2021 11:55

Qindra e mijëra demokratë, mbështetës të kryedemokratit Lulzim Basha janë mbledhur përpara ambienteve të Pallatit të Kongreseve.

Me bonderola surprizë për Kuvendin Kombëtar ku shkruhet: “Zgjedhim të ardhmen”, kanë zgjedhur demokratët të shprehin mbështetjen e tyre në këtë ditë të nxehtë për Partinë Demokratike.

Fokusi i demokratëve në këtë Kuvend do të jetë në tre drejtime kyçe, sipas agjendës së publikuar mesditën e 17 dhjetorit, nga PD-ja.

Përveç vendimmarrjes mbi situatën e PD-së, gjithashtu dhe marrja e masave “për të mbrojtur interesat e PD-së”, duke mos lejuar që “problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD-së”.

Miratimi i Aksionit Politik për të ardhmen e kësaj partie do të jetë e dyta në rendin e ditës së Kuvendit.

Gjithashtu do të shpallet dhe platforma qytetare për demokraci, “për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend”.

Zhvillimet brenda PD u tensionuan pasi SHBA përcaktuan ish kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij si person të papërshtatshëm për të vizituar për shkak të korrupsionit domethënës dhe dëmtimit të demokracisë prej tij dhe aleatëve të tij.

Edhe pse Berisha deklaroi se u dorëhoq dhe u tërhoq nga politika pas humbjes së zgjedhjeve në 2013, Basha e përfshiu atë në listën e deputetëve edhe në zgjedhjet e 2017 dhe në listën e deputetëve të këtij viti, por vendosi ta përjashtojë nga grupi parlamentar pasi u shpall non grata nga SHBA.

Ky përjashtim nga grupi acaroi marrëdhëniet midis tyre, edhe pse zoti Berisha deklaroi se do të mbrohej personalisht para një gjykate franceze ndaj përcaktimit të SHBA-ve për korrupsion.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel