Incidente në referendum/ Organizatorët u ankuan se u penguan në selitë e PD

18/12/2021 19:44

Referendumi i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha për shkarkimin e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përfunduar, por nuk kanë munguar incidente në disa qendra votimi. Disa nga anëtarët nuk kanë gjetur dot emrat në listat zgjedhore.

Votimi në disa degë të partisë Demokratike në disa zona është zhvilluar në kushte të pazakonta, pasi që në nisje të procesit mbështetësit e Berishës kanë denoncuar ndërrimin e bravave të dyerve të selisë së PD.

Anëtarët e PD në Sarandë kanë votuar në rrugë, pasi dera e selisë së Partisë Demokratike ishte e mbyllur.

Me incidente është shoqëruar edhe votimi në Delvinë ku ka pasur disa përplasje duke sjellë bllokim të procesit, teksa e njëjta situatë është vërejtur edhe në Cakran pasi policia ka nxjerrë materialet zgjedhore në rrugë.

Problematika janë hasur edhe në kryeqytet, ku Belind Këlliçi ka denoncuar rastin në selinë numër 1 ku sipas tij anëtarë të PD-së mbështetës të Bashës kanë hedhur vaj nëpër shkallë për të penguar procesin.

Në të gjithë vendin anëtarët e Partisë Demokratike kanë votuar në 106 qendra votimi ku ishin shpërndarë materialet zgjedhore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA