Gjykata e Lartë ka publikuar listën me emrat e Brunilda Kadi, Ilir Toska, Holta Zaçaj, Manjola Xhaxho dhe Tartar Bazaj për të plotësuar në Gjykatën Kushtetuese vendin e lënë vakand nga Gani Dizdari.
“Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 125 pika 1 të Kushtetutës si dhe nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në datë 15.11.2021 ka bërë shpalljen publike për plotësimin e 1 vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese të krijuar pas largimit të z. Gani Dizdarit (mandati i plotë 9 vjeçar) që duhet plotësuar nga Gjykata e Lartë. Pas përfundimit të afatit 30 ditor të pranimit të kërkesave të kandidatëve, kanë paraqitur kërkesë për të konkurruar në këtë vend vakant, këta kandidatë: 1. Brunilda Kadi; 2. Ilir Toska; 3. Holta Zaçaj; 4. Manjola Xhaxho; 5. Tartar Bazaj
Bazuar në nenin 7/ç, pika 1 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, (të ndryshuar) lista e kandidatëve, si edhe dokumentacioni i paraqitur prej tyre, i janë dërguar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si organi kompetent për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese”, ka njoftuar Gjykata e Lartë.
Gjykata e Lartë ka rinisur procedurat për plotësimin e 3 vakancave që kanë mbetur në Gjykatën Kushtetuese, anëtarë që duhet të zgjidhen nga radhët e gjyqësorit nga vetë ky institucion. Një prej vendeve vakant është ai i gjyqtares Vitore Tushës, të cilës i mbaroi mandatin 9-vjeçar. Po ashtu vakant është edhe vendi i Fatmir Hoxhës, i cili u shkarkua në vitin 2018, si dhe i Gani Dizdarit, që u shkarkua në vitin 2019.
Aktualisht Gjykata e Lartë ka 7 anëtarë, të ndarë në 3 Kolegje.
Top Channel