Shqyrtimi i kërkesës së Statutit të “11 dhjetorit”/ Gjykata: S’kemi dijeni nëse Agron Zhukri është tërhequr

17/12/2021 14:51

Gjyqtari Agron Zhukri do jetë ai që do vendosë për fatin e statutit paralel të Partisë Demokratike që u miratua në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.

Në një njoftim për mediat, Gjykata e Tiranës ka sqaruar se nuk ka informacion nëse gjyqtari Zhukri është tërhequr nga shqyrtimi i kërkesës, depozituar në këtë gjykatë të mërkurën nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së.

Përsa i përket kërkesës së gjyqtarit Agron Zhukri për heqje dore nga shqyrtimi i kërkesës së bërë nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ju komunikoj se Gjykata e Tiranës, nuk ka informacion lidhur me këtë kërkesë”, thuhet në njoftimin për mediat.

Gjykata e Tiranës doli këtë të enjte me një njoftim zyrtar lidhur me depozitimin e kërkesës së Komisionit të Rithemelimit për ndryshimet statutore, të vendosura në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, duke sqaruar se çështja është regjistruar dhe do të shqyrtohet nga gjykatësi Agron Zhukri.

Brenda 48 orësh në Gjykatën e Tiranës u depozituan dy kërkesa të veçanta për ndryshime të statutit të Partisë Demokratike.

Në kërkesën e depozituar të martën, Partia Demokratike kërkoi pasqyrimin e ndryshimeve të statutit të partisë dhe organeve të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të 17 korrikut 2021.

Ndërsa të mërkurën Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike i kërkoi gjykatës të pasqyrojë ndryshimet statutore të bëra në Kuvendin e datës 11 dhjetor të mbajtur në stadiumin “Air Albania”.

Dy kërkesat e njëjta në objekt, por jo në përmbajtje, priten të shqyrtohen të veçuara në Gjykatën e kryeqytetit.

Kërkesa për ndryshimet statusore të Kuvendit të 17 korrikut do të shqyrtohet nga gjyqtarja, Blerina Muça.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA