Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka komentuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur sanksione ndaj bosëve të krimit në veri të Kosovës.
Duke folur për “Bota sot”, Biserko tha se sanksionet amerikane nënkuptojnë se do të bllokohet e gjithë pasuria e personave të “ndëshkuar”, përfshirë dhe kompani që nuk janë në pronësinë e tyre direkte.
Ajo shpjegoi se Zvonko Veselinoviç është një nga personat më të korruptuar në Kosovë.
“Në shpjegimin e Thesarit Amerikan thuhet se ai është “udhëheqësi i Grupit për Krim të Organizuar dhe është një nga personat e korruptuar më famëkeq në Kosovë”.
Grupi “është i përfshirë në një skemë të gjerë ryshfeti me zyrtarë të sigurisë së Kosovës dhe Serbisë, të cilët lejojnë grupin të tregtojë ilegalisht mallra, para, narkotikë dhe armë midis Kosovës dhe Serbisë”.
Qëllimi i të gjithë kësaj nisme sipas saj është çlirimi i serbëve në veri të Kosovës, në mënyrë që ata të veprojnë në bazë të interesave të tyre.
Biserko thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç është prekur nga vendimi i Thesarit Amerikan, për shkak të lidhjes me Veselinoviçin dhe Milan Radoiçiçin, që akuzohen për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç.
“Vuçiç i mbrojti në atë rast. Priten më shumë sanksione, ato do të shtrihen për njerëzit që rrethojnë presidentin. Kjo do të dobësojë pozicionin e tij dhe do ta bëjë atë më bashkëpunues për disa çështje, shpresojmë”, u shpreh Biserko.
Top Channel