Ja çfarë dihet deri më tani për pilulat antiCOVID-19

17/12/2021 03:13

Kompania farmaceutike amerikane Pfizer të martën konfirmoi se Paxlovid, ilaçi i saj i ri kundër COVID-19, ka dhënë rezultate efikase.

Pilulat e prodhuara nga Pfizer mund të jenë trajtimi i parë me të vërtetë efektiv për sëmundjen e koronavirusit, së bashku me molnupiravir, një ilaç i zhvilluar nga kompania farmaceutike MSD (Merck).

Vaksinat vazhdojnë të jenë i vetmi mjet i rëndësishëm kundër pandemisë, të cilat kanë arritur të ulin numrin e rasteve kritike me COVID-19, numrin e të shtruarve në spitale dhe vdekjet. Ilaçi për COVID-19 mund të rezultojë i dobishëm edhe në vendet e varfra, të cilat kanë norma shumë të ulëta të vaksinimit.

Paxlovid

Referuar të dhënave të publikuar nga Pfizer, nëse arrihet të merret brenda tre ditëve që nga fillimi i simptomave, Paxlovid ul rrezikun e shtrimit në spital dhe shmang vdekjen me 89 për qind (krahasuar me ata që nuk e marrin dhe zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes). Nëse jepet pesë ditë pas simptomave të para, rreziku ulet gati në 88 për qind.

Këto rezultate janë bazuar në një provë që përfshiu rreth 2 mijë e 246 vullnetarë të pavaksinuar me karakteristika të ngjashme me një rrezik të lartë të zhvillimit të simptomave të COVID-19. Gjithashtu, sipas të dhënave të publikuara nga Pfizer, 0.7 përqind e pjesëmarrësve që morën Paxlovid u shtruan në spital katër javë pas fillimit të provës, ndërsa nuk u regjistrua asnjë vdekje. Në grupin e vullnetarëve që nuk e morën një ilaç të tillë, por një substancë (placebo) përqindja ishte në 6.5.

Paxlovid është një antiviral që ndërhyn në mekanizmat e përdorur nga koronavirusi për t’u shumuar brenda qelizave të njerëzve të infektuar. Trajtimi konsiston në marrjen e 30 tabletave gjatë pesë ditëve të Paxlovid dhe ritonavir, një tjetër ilaç antiviral i zhvilluar shumë kohë më parë kundër HIV. Marrja e këtij ilaçi të dytë lejon Paxlovid të qëndrojë aktiv më gjatë në trup për të dhënë rezultate më të mira.

Përveç pacientëve me rrezik të lartë, Pfizer po teston individë me faktorë rreziku më të ulët të lidhur me COVID-19. Të dhënat paraprake të publikuara deri më tani nga kompania tregojnë se përdorimi i Paxlovid uli rrezikun e shtrimit në spital dhe vdekjeve me 70 përqind. Testet klinike përfshinin njerëz që ishin kontraktuar kryesisht me variantin Delta të koronavirusit, më i përhapuri që nga vera në pjesën më të madhe të botës. Pfizer, megjithatë, parashikoi që në disa teste laboratorike, ilaçi i ri ka treguar se mund të luftojë edhe simptomat e COVID-19 të shkaktuara nga varianti Omicron.

Muajin e kaluar, Pfizer aplikoi tek Agjencia e Ushqimit e Barnave për të marrë autorizimin për përdorim të Paxlovid, falë të dhënave të para në lidhje me efikasitetin dhe sigurinë e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA