Tirana si Kryeqyteti Europian i Rinisë për 2022 do të jetë një mundësi e mirë jo vetëm për të rinjtë nga Shqipëria, por dhe për ata nga rajoni.
Për të konkretizuar nismat e përbashkëta, kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj priti në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Đorđe Radulović me të cilin diskutoi mbi rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si turizmi, start-up-et etj.
“Ne e çmojmë shumë fqinjësinë e veçante që kemi me Malin e Zi, duam qe kjo miqesi të përkthehet edhe në nivelin e kryetarëve të bashkive dhe të rinjve tanë”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë u shpreh se 2022 do të jetë një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për të promovuar të rinjtë e Tiranës, por edhe të rinjtë e gjithë rajonit.
“Jam i sigurt se në Ulqin, Podgoricë, në Tivar e Tuz ka të rinj fantastik që po bëjnë punë të mrekullueshme. Mund të jenë ata që merren me çështje mjedisore si liqeni i Shkodrës që folëm, mund të jenë ata që merren me të drejtat e njeriut, që promovojnë turizmin, start-up-et, ndaj mezi pres që të kemi këtë bashkëpunim vitin tjetër mes të rinjve të Malit të Zi e Shqipërisë dhe shpresoj që ditët më të mira për rajonin tonë janë përpara”, nënvizoi ai.
Në shenjë të miqësisë mes dy vendeve, Kryetari i Basshkisë Erion Veliaj i dorëzoi ministrit Radulović “Kullën e Sahatit” të Tiranës.
Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Đorđe Radulović falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen dhe e ftoi atë për një vizitë në Malin e Zi. “Faleminderit nga thellësia e zemrës për këtë dhuratë të bukur. Nuk jemi vetëm vende fqinje por jemi miq, aleatë dhe partnerë dhe shpresoj që tani e tutje do të kemi vizita më të shpeshta dhe jeni më shumë se i mirëpritur që të vini në Malin e Zi. Faleminderit për mikpritjen shqiptare të njohur gjerësisht në botë”, u shpreh Đorđe Radulović.
Top Channel