Shtim i kontrolleve për të ndaluar shitjen e parregullt të fishekzjarreve: Do të ketë aksione të befasishme

16/12/2021 09:59

Tregtimi i lëndëve piroteknike, sidomos fishekzjarreve do të kontrollohet që në doganë dhe deri në pikat e shitjes, njoftoi sot policia.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar të gjitha strukturave vendore të Policisë, marrjen e masave për zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, për parandalimin e shkeljeve dhe ngjarjeve të ndryshme në prag të festave të fundvitit, si dhe zbatimin e disa detyrave shtesë, të cilat konsistojnë në:

Shtimin e kontrolleve çdo ditë, për verifikimin e aktivitetit të subjekteve të licencuara dhe njësive që tregtojnë fishekzjarrë, nëse i tregtojnë ato sipas përcaktimeve “Artikuj të lejuar e të ndaluar”;

Rritjen e cilësisë së kontrolleve, duke bashkëpunuar me institucionet e tjera përgjegjëse, kryesisht me Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), për magazinimin dhe tregtimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, në funksion të parandalimit të shkeljeve dhe ngjarjeve me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin, si dhe për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shkelin rregullat e magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve;

Në koordinimin e veprimeve ndërmjet ndihmës/specialistëve të Policimit në Komunitet/SPZ,  Patrullave të Përgjithshme, Policisë Kriminale, me pushtetin lokal dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen në kohë të çdo paligjshmërie që shfaqet në territor dhe që cenon rendin e sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Strukturat vendore të Policisë, në bashkëpunim me shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH), do të hartojnë plane të përbashkëta inspektimi dhe kontrolli të befasishëm në të gjitha subjektet e licencuara për magazinimin, tregtimin dhe përdorimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA