Ndihmës/sekretari amerikan i Thesarit, Paul Ahern deklaroi në Beograd se të gjithë ata serbë nga veriu i Kosovës, të cilët i sanksionoi SHBA-ja, duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Individët dhe kompanitë objekt i këtyre sanksioneve, duhet të mbahen përgjegjëse, ndërsa aktivitetet e tyre, të cilat shkaktojnë destabilizim, duhet të ndalen”, citon deklaratën e Ahernit Ambasada amerikane në Serbi.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së, më 8 dhjetor, futi në listën e sanksioneve udhëheqës të grupit të krimit të organizuar në Kosovë dhe kompani të udhëhequra nga ata me motivacionin se shkaktuan destabilizim dhe ushtruan veprimtari korruptive, duke dëmtuar qytetarët dhe ekonominë e Kosovës dhe të Serbisë.
“Presidenti [i SHBA-së, Joe Biden qartazi bëri me dije se luftimi i korrupsionit është prioritet kryesor i SHBA-së. Departamenti i Thesarit do të vazhdojë t’i mbajë përgjegjës protagonistët e korrupsionit, kudo qofshin ata”, tha Ahern.
Nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore serbe në Kosovë – Milan Radoiçiç, dhe biznesmenët nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviç dhe vëllai i tij Zharko Veselinoviç, si dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta u përfshinë në listën e SHBA.
Zyrtarët e Kosovës i kanë mirëpritur sanksionet e SHBA-së kundër grupit të serbëve nga veriu i Kosovës, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se autoritetet kompetente të vendit të tij do të hetojnë nëse ka “akuza të rënda”.
Top Channel