OBSH: Omicron po përhapet shumë shpejt, numri i të infektuarve po dyfishohet

16/12/2021 15:18

Varianti Omicron po përhapet shumë shpejt dhe numri i personave të infektuar mund të dyfishohet në çdo tre ditë.

Kështu ka bërë me dije i dërguari special i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), David Nabaro për Sky News. Ai nuk përjashtoi as një rritje të numrit të viktimave nga koronavirusi, duke theksuar se “problemi do të bëhet serioz” në të ardhmen.

Shkalla më e lartë e përhapjes së Omicron krahasuar me variantet e tjera të Covid-19, sipas OBSH-së, do të rrisë numrin e shtrimeve në spital dhe do të shtojë presionin për punonjësit dhe institucionet shëndetësore. Një presion i tillë, thonë ekspertët, mund të rrisë numrin e viktimave.

Më 26 nëntor, OBSH identifikoi variantin e koronavirusit B.1.1.529, i zbuluar në Afrikën e Jugut, të cilin e emërtoi Omicron. Organizata tha në një deklaratë për mediat se varianti i ri “ka një numër të madh mutacionesh, disa prej të cilave janë shqetësuese”.

Omicron po përhapet me një shpejtësi që nuk e kemi hasur në variantet e tjera të koronavirusit”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Gebreyesus në një konferencë për mediat më 14 dhjetor.

Epiqendra globale e përhapjes së Omicron është Afrika e Jugut dhe sipas të dhënave më të fundit ky variant është zbuluar në 77 vende të botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA