Gjykatësi Agron Zhukri është përzgjedhur për të shqyrtuar kërkesën e depozituar në gjykatë nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së për regjistrimin e ndryshimeve statutore.
Gjykata doli këtë të enjte me një njoftim zyrtar lidhur me depozitimin e kërkesës së Komisionit të Rithemelimit për ndryshimet statutore, të vendosura në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit.
Në njoftim thuhej se çështja është regjistruar dhe është në pritje për t’ju nënshtruar procesit të shortimit.
Brenda 48 orësh në Gjykatën e Tiranës u depozituan dy kërkesa të veçanta për ndryshime të statutit të Partisë Demokratike.
Në kërkesën e depozituar të martën, Partia Demokratike kërkoi pasqyrimin e ndryshimeve të statutit të partisë dhe organeve të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të 17 korrikut 2021.
Ndërsa të mërkurën Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike i kërkoi gjykatës të pasqyrojë ndryshimet statutore të bëra në Kuvendin e datës 11 dhjetor të mbajtur në stadiumin “Air Albania”.
Dy kërkesat e njëjta në objekt, por jo në përmbajtje, priten të shqyrtohen të veçuara në Gjykatën e kryeqytetit.
Kërkesa për ndryshimet statusore të Kuvendit të 17 korrikut do të shqyrtohet nga gjyqtarja Blerina Muça.
Top Channel