Gjykata urdhëron deputetin holandez të fshijë postimet, krahasoi të pavaksinuarit nga Covid-19 me hebrenjtë gjatë Holokaustit

16/12/2021 13:05

Një gjykatës të mërkurën urdhëroi deputetin holandez Thierry Baudet të fshijë katër mesazhe në rrjetin social Twitter, pasi ky i fundit krahasonte masat bllokuese kundër koronavirusit me trajtimin e hebrenjve nën regjimin nazist.

Kreut të partisë së ekstremit të djathtë, Forumi për Demokraci, e cila ka pesë vende në parlamentin holandez, iu tha që brenda 48 orëve duhet të fshijë disa postime në mediat sociale.

Dy organizata hebreje dhe një grup i të mbijetuarve të Holokaustit shkuan në gjykatën e Amsterdamit për të kërkuar heqjen e këtyre postimeve në Twitter, pasi sipas tyre ato ishin tepër fyese dhe të dhimbshme për të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave të Holokaustit.

Mes postimeve të tij, ishte një që i quante njerëzit që nuk janë vaksinuar kundër Covid-19 si “hebrenj të rinj”, ndërsa ata të tjerët që kërkojnë vaksinimin e popullsisë si nazistë dhe NSB-të e rinj. NSB është akronimi i Lëvizjes Nacional Socialiste holandeze, një degë e partisë naziste.

Budet, publikoi edhe dy foto krah njëra-tjetrës, ku tregonte një fëmijë që nuk mund të shkonte në festën e Shën Nikollës dhe e dyta të një djali nga getoja e Lodz-it të kohës së luftës në Poloni, i cili mbante një yll të Davidit, përpara deportimit të tij.

Në një postim tjetër, publikoi një foto të kampit të përqendrimit Buchenwald, shoqëruar me diçiturën: Si është e mundur të mos shohësh se si historia përsëritet.

Gjykata e urdhëroi Baudet që t’i fshinte mesazhet e postuara në Twitter brenda 48 orëve.

Nëse ai vendos të mos i fshijë ato, do të duhet të paguajë 25 mijë euro çdo ditë që ato qëndrojnë në internet. Atij gjithashtu i është ndaluar të përdorë imazhe të Holokaustit, si pjesë e debatit për masat e marra në lidhje me luftën ndaj koronavirusit.

Në një reagim në Twitter, Baudet e konsideroi një vendim të tillë “të çmendur dhe të pakuptueshëm”. Ai theksoi se vendimin e gjykatës do ta çonte në Apel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA