Standardi i jetesës së qytetarëve në Kroaci në vitin pandemik 2020 ishte afërsisht një e treta më e ulët se mesatarja në Bashkimin Evropian dhe më keq është vetëm në Bullgari, sipas një raporti të publikuar sot nga Eurostat.
Eurostat mat standardin me konsumin aktual individual për frymë, i cili tregon se sa mallra dhe shërbime kanë konsumuar individët, nëse kanë paguar për to vetë apo kostot janë përballuar nga shtetet apo organizatat joqeveritare.
Konsumi aktual individual për frymë shprehet në standardet e fuqisë blerëse, një monedhë artificiale që eliminon diferencat e çmimeve midis vendeve. Në vitin 2020, standardi më i lartë, i shprehur në konsumin aktual individual për frymë, u regjistrua në Luksemburg, 45 për qind më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, sipas vlerësimit të fundit të Eurostat.
Pas tij vjen Gjermania dhe Danimarka, ku ishte 24 e 22 për qind më e lartë se mesatarja dhe afër janë Holanda dhe Austria, ku ishte 17 e 16 për qind mbi mesataren evropiane. Më afër mesatares për sa i përket konsumit aktual individual për frymë në vitin 2020 ishin Qiproja, Italia dhe Lituania, ku standardi ishte rreth katër për qind më i ulët se mesatarja në nivel të Bashkimit. Në Irlandë ishte 10 për qind më poshtë, dhe në Francë po aq mbi mesataren.
Së bashku me Bullgarinë, Kroacia regjistroi konsumin më të ulët aktual individual për frymë, të matur me standardin e fuqisë blerëse, midis vendeve të BE-së, 32 për qind më e ulët se mesatarja e BE-së, pak a shumë në përputhje me vlerësimin e qershorit të Eurostat. Në vitin 2019, ajo ishte 34 për qind më e ulët, sipas një raporti të Eurostat.
Top Channel