Protestat masive të qytetarëve javët e fundit në Serbi detyruan qeverinë të kthente mbrapsht ligjin për shpronësimet dhe ndryshimet në ligjin për referendumin, kërkesat kryesore këto të nismës “Kreni-promeni” (Nisu-Ndrysho).
Partia Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet e pranoi humbjen politike dhe deklaroi publikisht se nuk e dëgjuan sa duhet zërin e popullit dhe se tani do të ndryshojnë qasjen e tyre në komunikim me ata që mendojnë ndryshe.
Të paktë janë ata që besojnë se kjo do të ndodhë vërtet, por është e qartë se autoritetet serbe po përpiqen të pushojnë pak nga presioni që qytetarët kanë ushtruar deri më tani në rrugët e qyteteve serbe, me premtimin bosh se nga sot do të kenë më shumë vëmendje për dialog me kundërshtarët politikë.
Lëvizja “Kryengritja mjedisore” beson se asgjë nuk ka përfunduar derisa të ndalohet miniera e litiumit në Serbi dhe nuk dëbohet kompania Rio Tinto dhe paralajmëron vazhdimin e protestës.
“Mendoj se qeveria u frikësua mbi të gjitha nga potenciali që kishin këto protesta”, thekson për DW, zëvendëskryeredaktorja e revistës NIN, Vesna Malishiç.
“Qeveria u frikësua nga një vendosmëri e madhe në protesta dhe ajo që pason nga këto protesta, e ky është mobilizimi i një numri edhe më të madh të njerëzve. Suksesi i asaj proteste është se befasoi pushtetin, befasoi opozitën, e habiti edhe vetë qytetarët”, thotë ajo.
Serbinë e presin zgjedhjet në fillim të prillit dhe një nga të panjohurat është se si do të ndikojnë të gjitha ngjarjet rreth protestës dhe humbjet aktuale politike të SNS-së, në pozitën e vet presidentit Aleksandar Vuçiç.
Analistët të ndryshëm shohin dobësim të pozitave të tij dhe këtë e lidhin me rikthimin e qytetarëve në skenën politike si aktorë të rëndësishëm politikë.
Protestat e fundit, sipas tyre, tregojnë se Vuçiçi është në rënie.
Top Channel