Mjekësia humane sot ka një shqetësim madhor, atë që njihet si rezistenca mikrobike. Thënë ndryshe, pafuqia e antibiotikëve për të vepruar ndaj sëmundjeve të ndryshme. Kjo ndodh kur njerëzit përdorin antibiotikë në sasi të mëdha çka u jep imunitet mikrobeve.
Mjekësia humane po përpiqet ta luftojë fenomenin, duke minimizuar përdorimin e antibiotikëve. Por, një sistem paralel mjekësor për të cilin nuk flitet, rrezikon të zhbëjë përpjekjet kundër antibiotiko-rezistencës.
“Ndërsa ruhemi për të mos krijuar rezistencë e probleme të tjera te mjekësia humane, mjekësia veterinere dhe problemet e tjera mund të vijnë në pjatën që ne konsumojmë. Pirunin që marrim të këtyre produkteve ndaj duhet investim shumë i madh për kontrollin e zinxhirit të prodhimeve veterinare” u shpreh Zihni Sula, Profesor i Toksikologjisë
“Një medikament human i dhënë jashtë cdo lloj kontrolli nga mjeku dëmton atë që e përdor, ndërsa një medikament veterinar i përdorur pa kriter dëmton një shoqëri të tërë” u shpreh Ervin Resuli, Mjek Veteriner.
Referuar të dhënave zyrtare nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë, Shqipëria importon në vit plot 1 milionë e 176 mijë kilogramë Produkte Mjekësore Veterinare. Pra, rreth 1.100 tonë. Një sasi tronditëse që arrin te njeriu si konsumator i mishit dhe produkteve shtazore. Nëse e llogarisim në raport me 2.8 milionë rezidentë që jetojnë në vend, çdo person merr mesatarisht rreth gjysmë kilogramë antibiotikë në vit pa e ditur.
“Është e paimagjinueshme por është fakt sepse nëse çdo rritës mbarështues shkon në një farmaci veterinare e kërkon diçka, ajo lëshohet pa kriter kuptohet që ai s’di, kjo duhet përkthyer në pasojat që i vjen konsumatorit në tavolinë dhe këto pasoja përkthehen në pasoja shëndetësore” u shpreh Zihni Sula, Profesor i Toksikologjisë
“Këtu sëmuren me dhjetëra e qindra njerëz, jo për momentin por gradualisht, pak sot, pak nesër. Lënë mbetje të rënda në shëndetin e njeriut” u shpreh një farmacist në Vlorë
“Barnat që ne përdorim lënë mbetje, depozitohen në organizmin e kafshës muskul, mëlci, kocka. prodekte vijnë përmes qumështit e nën produkteve, në fund janë pjesë e ushqimit tonë” u shpreh Dritan Laçi, Profesor i Mjekësisë Veterinare.
Top Channel