Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga sektori i fasonerisë këtë vit kanë arritur nivelet më të larta të regjistruara për të paktën 13 vjet.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto nga shërbimet e përpunimit aktiv të mallrave në Shqipëri për 9 muaj arritën vlerën e 380 milionë eurove, 19% më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar në seritë historike të Bilancit të Pagesave. Fasoneria këtë vit po rezulton si kontribuuesi i tretë më i madh neto në llogarinë korente të vendit, pas turizmit dhe remitancave.
Krahu i lirë i punës është “produkti” kryesor ku janë mbështetur eksportet shqiptare pas rënies së regjimit komunist. Fasoneria tradicionalisht ka qenë e përqendruar kryesisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë vendit. Vetëm në këtë sektor vlerësohet se veprojnë rreth 700 ndërmarrje, me më shumë se 30 mijë të punësuar.
Ky segment deri tani ka përgënjeshtruar parashikimet pesimiste të viteve 2000, se fasoneria do të kishte një cikël të shkurtër zhvillimi, për shkak të rritjes graduale të standardeve të jetesës e kostove të punës, si edhe konkurrencës nga tregje ku krahu i punës është më i lirë. Në fakt, fasoneria në sektorët e tekstileve dhe këpucëve ka mbijetuar, madje është rritur, megjithë problemet e mëdha të lidhura me mungesën e forcës së punës. Këta sektorë kanë shfrytëzuar përvojën e fituar në vite, afërsinë me vendet e Bashkimit Europian, por edhe faktin që rritja e kostos së punës ka qenë e ngadaltë dhe larg atyre niveleve që do të mund të dëmtonin konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve të këtij sektori.
Megjithatë, spektri i aktiviteteve që kanë në themel fasonerinë me kalimin e viteve është zgjeruar. Veç tekstileve dhe këpucëve, prodhimi me porosi është e shtrirë edhe në segmente të industrisë ushqimore, kryesisht të përpunimit të prodhimeve të detit. Një aktivitet në rritje dhe me potenciale ende të mëdha të zhvillimit është gjithashtu industria automotive ose prodhimi i pjesëve të këmbimit për makinat, makineritë dhe pajisjet. Ndryshe nga tekstilet dhe këpucët, aktivitetet e tjera të fasonerisë nuk janë të ndara në seksione statistikore të veçanta dhe kjo e bën të vështirë llogaritjen e kontributit të tyre në prodhim dhe punësim.
Por, e sigurt është se forca e lirë e punës ka një kontribut edhe më të gjerë se ai që lidhet me fasonerinë. Një sektor me peshë me ndikim të madh në ekonomi dhe punësim në dy dekadat e fundit është ai i call center. Fillimisht këto aktivitete lidheshin me ofrimin e shërbimeve në distancë të kujdesit për klientin, duke shfrytëzuar numrin e lartë të të rinjve shqiptarë që kishin njohuri të gjuhëve të huaja. Por, me kalimin e viteve, shërbimet mbështetëse kanë hyrë edhe në aktivitete më specifike, si në ato të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit apo funksionit të agjentëve të shitjes, sidomos për bursat online./ Monitor
Top Channel