Putin nuk heq dorë: Zgjerimi i NATO-s na kërcënon, do reagojmë

15/12/2021 12:47

Vladimir Putin kërkon ta rrahë hekurin sa është i nxehtë. Presidenti rus e bëri të qartë se nevojiten bisedime të menjëhershme me vendet perëndimore për të parandaluar zgjerimin e NATO-s në lindje, dhe nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kjo kërkesë.

Në një telefonatë të zhvilluar me kreun e Elizesë, Emmanuel Macron, Putin theksoi rëndësinë e nisjes së menjëhershme të negociatave ndërkombëtare për të zhvilluar garanci të vendosura ligjërisht të cilat të parandalojnë çdo zgjerim të mëtejshëm të aleancës në lindje si dhe vendosjen e armëve në shtetet fqinje, kryesisht në Ukrainë, që kërcënojnë Rusinë.

Shefi i Kremlinit bëri një kërkesë të ngjashme gjatë bisedimeve virtuale me presidentin e SHBA-së Joe Biden javën e kaluar si dhe në një telefonatë me kryeministrin britanik Boris Johnson të hënën.

Më herët gjatë ditës, Putin i tha gjithashtu homologut të tij finlandez Sauli Niinisto të martën se këmbëngul për bisedime “të menjëhershme” me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n mbi garancitë e sigurisë, ndërsa tensionet mbi Ukrainën, rriten.

Ai po kështu e akuzoi gjithashtu udhëheqjen ukrainase se po përdor gjithnjë e më shumë “armatime të rënda e dronë luftarakë” kundër rebelëve pro-rusë në rajonet lindore të vendit.

Komentet e tij vijnë pasi Perëndimi e ka akuzuar për javë të tëra Rusinë se po planifikon pushtimin e fqinjit të saj më të vogël dhe se ka grumbulluar  dhjetëra mijëra trupa në kufi.

Top Channel