Policia në Dresden nisi bastisje masive pas kërcënimeve dhe zbulimit të planeve për vrasjen e kryeministrit të Saksonisë, Michael Kretschmer në rrjetin social Telegram.
Në aksione u përfshinë edhe forcat speciale të Policisë Kriminale Shtetërore (LKA). Deklaratat e anëtarëve të një grupi në rrjetin Telegram kanë sinjalizuar mundësinë e përgatitjes së sulmeve me armë ndaj kryeministrit Kretschmer.
Sipas një zëdhënësi të LKA, objektet që janë vënë në shënjestër të bastisjeve janë kryesisht apartamente dhe vendbanime në kryeqytetin e Saksonisë.
Kërcënimet duket se lidheshin me debatet e fundit për vaksinimin me detyrim kundër koronavirusit.
Prokuroria e Përgjithshme Publike në Dresden dhe Zyra për luftimin e kriminalitetit në Saksoni kanë nisur hetimet ndërsa Qendra Policore për Mbrojtjen nga Terrorizmi dhe Ekstremizmi ka kryer tanimë bastisjet e para, si pjesë e hetimit të kërkuar nga prokuroria publike, nën dyshimet e përgatitjes së një sulmi të rëndë dhe të të rrezikshëm për shtetin.
LKA ka njoftuar javën e kaluar se dyshimet bazohen tek shkrimet e një grupi chat në Telegram të quajtur “Dresden Offline Netëorking”.
“Në komunikimin e tyre dhe në bisedat në takime të filmuara fshehurazi, e ndonjëherë edhe hapur në zonën e gjerë të Dresdenit, janë regjistruar edhe deklarata mbi planet për vrasje“, të Kretschmer dhe përfaqësuesve të tjerë të qeverisë së landit të Saksonisë.
Kërcënimet kanë shkaktuar zemërim te politikanët.
Vetë politikani i CDU-së Kretschmer ka theksuar: “Duhet të marrim të gjitha masat ligjore kundër gjërave të tilla. Njerëzit që mbajnë poste publike nuk duhet të kenë frikë të thonë mendimet e tyre dhe të bëjnë punën e tyre”.
Qeveria e re federale aktualisht po shqyrton mundësinë e masave edhe më të ashpra kundër shërbimeve të mesazheve që përdoren për të përhapur urrejtje dhe bëjnë thirrje për dhunë.
Top Channel