Shteti i Kosovës ia ka ndaluar sërish hyrjen drejtorit të Zyrës për Kosovën në ekzekutivin serb, Petar Petkoviç.
Vetë Petkovic u ankua nga pika kufitare e Jarinjës, pasi e detyruan të ktheje mbrapsht. Ai kishte planifikuar një vizitë në Manastirin e Deviçit, një seminar në Prizren dhe një ndalesë tek familja e kthyer Gligorijeviç në fshatin Novak.
Kjo është hera e gjashtë që Petkoviçit nuk i lejohet hyrja në Kosovë. Ai ka akuzuar kryeministrin Kurti për shkelje të marrëveshjeve për lëvizje të lirë.
“Ndalesa e sotme tregon që Kurti po i shkel marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe ai nuk e ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha zyrtari.
Petkoviç s’ishte lejuar as me datën 2 dhjetor që të hynte në territorin e Kosovës nga pika kufitare e Merdares.
Ministria e Jashtme e konfirmoi këtë gjë për mediat vendase, duke thënë se “nuk e ka aprovuar kërkesën e Petar Petkoviç për të vizituar Kosovën në datat 2 dhe 3 dhjetor”.
Përpara pak kohësh, katër ministrave të Republikës së Kosovës, autoritetet serbe nuk i lejuan vizitën e planifikuar në Luginën e Preshevës.
Top Channel