Prej 11 vitesh, shqiptarët udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Më 15 dhjetor të vitit 2010, hyri në fuqi vendimi i Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë që udhëtojnë në shtetet e Bashkimit Evropian.
Më 8 nëntor të vitit 2010, Këshilli i ministrave të Drejtësisë dhe ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian miratoi në mesditë liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. Ky vendim i hap rrugë lëvizjes së lirë të shqiptareve ne 27 vendet e zonës Shengen.
Kjo ishte një ngjarje historike për shqiptarët, edhe pse ekzistojnë një sërë kushtesh që duhen respektuar. Një shtetas shqiptar nuk mund të qëndrojë në hapësirën Shengen më shumë se 90 ditë për 180 ditë kalendarike.
Kryedemokrati Lulzim Basha ka kujtuar sot 15 dhjetorin e vitit 2010, që e cilëson si arritjen më të madhe të demokratëve.
“Të rinj dhe të vjetër që e gëzojnë këtë privilegj prej 11 vjetësh tashmë duhet ta dinë se ai fluturim përfaqëson arritjen më të madhe, hapin më të madh përpara në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian, i cili fatkeqësisht me Ramën ka ngecur në vend numëro”.
Edhe këtë ditë, Basha e ka shfrytëzuar për t’i bërë thirrje demokratëve të bashkohen në Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit.
“Në këtë ditë të bukur fare pranë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të 18 dhjetorit, detyra jonë është të bashkohemi rreth vlerave më të mira të forcës tonë politike, ta lëmë pas të kaluarën për të zgjedhur të ardhmen që vetëm ne mund t’ia japim Shqipërisë”.
Top Channel