E “marta e zezë” është quajtur dita e sotme në Greqi pasi Organizmi Kombëtar i Shëndetit në vend ka bërë me dije se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën nga koronavirusi 130 persona.
Kjo është shifra më e lartë e humbjeve të jetëve njerëzore prej fillimit të pandemisë duke kaluar edhe atë të 121 vdekjeve në 28 nëntorin e vitit të kaluar. Gjithsej numri i viktimave në Greqi nga Covid -19 ka shkuar në 19.475 dhe 95.3% e tyre janë mbi 70 vjeç ose kanë pasur një historik të rënduar shëndetësor.
Ndërkohë me 5736 rastet e reja të konfirmuara gjatë ditës së marte, numri i përgjithshëm i infeksioneve në Greqi ka shkuar në mbi 1.012.000. Gjithashtu edhe numri i të intubuarve mbetet i lartë ,700 paciente, prej të cilëve 568 ose 81.14% e tyre janë të pavaksinuar ose pjesërisht të vaksinuar, ndërsa 132 (18.86%) janë të vaksinuar plotësisht.
Në një moment kur vihet re një tendencë në rritje e vaksinimeve, opinioni publik është tronditur përsëri nga vdekja e një nëne 34-vjeç me dy fëmijë e cila insistonte të mos vaksinohej, megjithëse kishte historik të rënduar shëndetësor.
Ndërsa prej së mërkurës fillon vaksinimi i fëmijëve të moshave nga 5 deri në 11 vjeç dhe mbi 20000 prindër kanë mbyllur vaksinimin e fëmijëve të tyre, në spitalin e Serres-it, 90 km nga Selaniku. Është provuar rasti i parë i antitrupave monoklonale për trajtimin e koronavirusit tek një grua shtatzënë e cila është në tremujorin e tretë të shtatzënisë.
Prej 9 nëntorit të këtij viti kur mbërritën 2000 doza antitrupa monoklonale , Greqia ka filluar të ofrojë këtë terapi si pjesë e një programi të BE, në luftën kundër pandemisë.
Top Channel