Blinken i bën thirrje Kinës të ndalë “veprimet agresive”

15/12/2021 16:20

Gjatë një fjalimi në Xhakarta të Indonezisë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i bëri thirrje Kinës që të ndalë “veprimet agresive” në rajonin e Indo-Paqësorit. Pekini i mohon kritikat e Sekretarit Blinken.

Antony Blinken është në vizitën e tij të parë në Azinë Juglindore si Sekretar Shteti, duke e nisur udhëtimin e tij me një ndalesë në Indonezi.

Indonezia është një vend “me peshë të madhe” në një rajon kritik, thotë Brian Harding nga Instituti Amerikan i Paqes.

“Është e qartë se Azia Juglindore është në zemër të rajonit të Indo-Paqësorit, një rajon i botës ku konkurrenca strategjike SHBA-Kinë është acaruar. Por ka edhe shumë arsye të tjera që e rrisin interesin e Shteteve të Bashkuara për Azinë Juglindore, një rajon me 650 milionë banorë dhe një ekonomi prej tre trilionë dollarësh. Pra, vendimi i Sekretarit Blinken për të udhëtuar fillimisht në Indonezi është një veprim i duhur”, thotë ai.

Liria e lundrimit në Detin e Kinës Jugore është një çështje kryesore e vizitës së Sekretarit Blinken në një rajon ku, sipas tij, veprimet e Kinës kërcënojnë qarkullimin e mallrave që kapin vlerën e 3 trilionë dollarëve në vit.

“Për këtë arsye ka kaq shumë shqetësim, nga Azia Verilindore deri në Azinë Juglindore dhe nga lumi Mekong në ishujt e Paqësorit, për veprimet agresive të Pekinit. Ata i pretendojnë si të tyret ujrat ndërkombëtare, ndikojnë në tregjet e hapura duke subvencionuar kompanitë e tyre shtetërore, bllokojnë eksportet ose tërhiqen nga marrëveshjet me vende, me politikat e të cilave nuk pajtohen. Angazhohen në aktivitete të paligjshme peshkimi. Vendet në këtë rajon dhe Shtetet e Bashkuara, dëshirojnë që kjo sjellje të ndryshojë”, tha ai.

Kina u përgjigj me shpejtësi ndaj kritikave të zotit Blinken.

“Dëshiroj të theksoj se Shtetet e Bashkuara, nga njëra anë, në mënyrë dramatike flasin për të ashtuquajturin ‘kërcënim të Kinës’ ndërsa, nga ana tjetër, pretendojnë se nuk kanë synime për të nisur një konflikt me Kinën. Kjo praktikë kontradiktore nuk përputhet me frymën e takimit (të fundit) mes dy krerëve tanë të shteteve dhe do të ndeshet me vështirësi në në përpjekjet për të gjetur mbështetje në vendet e rajonit”, tha Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Kineze, Wang Wenbin.

Konfrontimet me anijet kineze janë të shpeshta në Detin e debatueshëm të Kinës Jugore. Sekretari Blinken e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të sigurohen që njerëzit dhe vendet në rajon të kenë lirinë për të vendosur mbi të ardhmen dhe partnerët e tyre, thotë eksperti Brian Harding.

“Vendet e Azisë Juglindore nuk duan të zgjedhin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, apo ndonjë prej partnerëve të tjerë. Është e qartë që Shtetet e Bashkuara, Kina, si dhe Japonia, India dhe Australia janë faktorë të rëndësishëm për këto vende dhe përpjekja për t’i detyruar ato të zgjedhin mes tyre është një politikë e keqe. Por, shpjegimi i qartë i gjërave që ofrojnë Shtetet e Bashkuara është një politikë e mirë dhe kjo është ajo që ai bëri”, thotë eksperit Brian Harding.

Sekretari Blinken gjatë këtij udhëtimi do të vizitojë edhe Malajzinë dhe Tajlandën, ku ndikimi i puçit ushtarak në Mianmar ka të ngjarë të jetë një çështje kyçe./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA