Norvegjia do të ndalojë shërbimin e alkoolit për shkak të Omicronit

14/12/2021 02:44

Si pjesë e përpjekjeve për të frenuar përhapjen e variantit omicron, Norvegjia do të ndalojë shërbimin e alkoolit në bare dhe restorante, do të vendosë rregulla më të rrepta në shkolla dhe do të përshpejtojë programin e vaksinimit, tha sot qeveria në Oslo.

Kryeministri Jonas Gahr Stoere tha se situata është serioze dhe se infeksionet po përhapen shumë shpejt. “Ne duhet të marrim masa për të kufizuar zhvillimin e mëtejshëm… Omicron ka ndryshuar rregullat,” tha ai.

Në Norvegji, janë vendosur rekorde si për numrin e infeksioneve të reja me COVID-19, ashtu edhe për numrin e shtrimeve në spital, pjesërisht për shkak të përhapjes së variantit omicron. Në një vlerësim të rrezikut të lëshuar sot, Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik (FHI) rekomandoi që qeveria të marrë masat e nevojshme shpejt.

“Kjo situatë na shqetëson më shumë se më parë. Nëse nuk veprojmë tani, mund të ketë pasoja negative për shoqërinë, jo vetëm për shërbimet shëndetësore dhe komunitetet lokale. Nëse nuk marrim masa efektive, rrezikojmë të kemi nga 90.000 deri në 300.000 raste të reja me COVID në ditë që nga janari”, tha FHI.

Më 7 dhjetor, autoritetet norvegjeze vendosën një kufi në numrin e vizitorëve të lejuar në shtëpi private dhe shkurtuan kohën gjatë së cilës baret dhe restorantet mund të shërbejnë alkool. “Kjo situatë na shqetëson më shumë se më parë. Mendojmë se omicron do të bëhet varianti dominues në ditët në vijim… Duhet të vendosim kufizime të mëtejshme shpejt,” tha Line Vold, kreu i Departamentit të Kontrollit të Infeksionit të FHI

Top Channel