Një sëmundje ende e paidentifikuar, OBSH heton vdekjen e 89 personave

14/12/2021 18:50

Një grup specialistësh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është dërguar në Sudanin e Jugut për të hetuar rreth një sëmundje ende të paidentifikuar që mendohet se ka vrarë 89 persona.

Ministria e Shëndetësisë në vend deklaroi se një sëmundje e panjohur ka vrarë me dhjetëra njerëz në qytetin verior të Fangak në shtetin Jnglei.

Autoritetet lokale të shëndetësisë në Fangak treguan se testet fillestare të kryera tek disa pacientë rezultuan negativë për kolerë.

Ne vendosëm të dërgojmë një ekip për të analizuar këtë lloj sëmundje dhe shkallën e rrezikshmërisë së saj. Ata kanë marrë disa mostra nga personat e sëmurë, por deri më tani shifra paraprake që kemi marrë është se janë shënuar 89 viktima”, tha Sheila Baya nga OBSH për BBC.

Ajo tregoi se ekipi i specialistëve do të shkonte në Fangak me helikopter për shkak të përmbytjeve të mëdha në zonë.

Pothuajse një dekadë pasi Sudani i Jugut fitoi pavarësinë, vendi vazhdon të përballet me kërcënimin për luftë, ndryshimet klimatike dhe Covid-19.

Pjesa më e madhe e popullsisë varet nga ndihmat ushqimore ndërkombëtare, ndërsa shëndetësia dhe arsimi garantohen nga agjencitë dhe grupet humanitare të OKB-së.

Top Channel