Mund të rritet çmimi i energjisë/ Kosova është në prag të një krize energjitike, çmimi nga importi është pesfishuar

14/12/2021 00:59

Qeveria e Kosovës po përpiqet të gjejë rrugëdalje për të shmangur krizën energjetike ku ndodhet. Ndërkohë që temperaturat e ulta kanë shtuar nevojën për importim të energjisë elektrike pasi Kosova nuk i përballon dot me prodhimin e saj.

Kompania e Kosovës për Shpërndarje të Energjisë Elektrike tha se gjatë muajve tetor dhe nëntor çmimi i importit është pesëfishuar në krahasim me një vit më parë dhe bëri thirrje për rishqyrtim të çmimit aktual për të siguruar furnizimin e rregullt me energji elektrike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot gjatë një debati në parlamentin e vendit se qeveria e tij është duke e trajtuar krizën e energjetike që sipas tij, po troket në derë. “Çmimet e energjisë elektrike ne bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as tek ne një situatë e favorshme derisa vazhdojmë të paguajmë vetëm 7 centë për kilovat orë.

Pra është e vërtetë që po blejmë shtrenjtë e po shesim lirë energji elektrike edhe pa një afat të caktuar. Rrjeti i shpërndarjes dhe stabilimentet prodhuese në Kosovë edhe janë vjetruar edhe amortizuar ndërsa konsumi i energjisë është rritur”, tha ai.

Ekspertë të sistemit energjetik thonë se Kosova do të jetë e detyruar të rrisë çmimin e energjisë, meqë situata aktuale do të jetë e papërballueshme. Dardan Abazi hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) thotë se pasojat reale të krizës energjetike do shihen gjatë muajit mars kur do të përfundojë sezoni dimëror dhe kur të rishikohen tarifat e energjisë.

Aktualisht Kosova është e varur nga termocentralet me qymyr të cilat prodhojnë rreth 95% të energjisë së përgjithshme të vendit ndërsa llogariten si ndotës të mëdhenj të mjedisit në Kosovë.

Top Channel