Gjermania do të lehtësojë masat për personat e imunizuar me doza përforcuese

14/12/2021 22:50

Gjermania nuk do t’u kërkojë njerëzve që janë imunizuar me dozën përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit, që të testohen para se të hyjnë në disa objekte argëtuese. Kështu vendosën të martën, më 14 dhjetor ministrat federalë dhe rajonalë të shëndetësisë.

Propozimi, për të cilin u pajtuan ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach dhe ministrat e 16 shteteve federale, ka për qëllim që të inkurajojë qytetarët që të marrin dozën përforcuese të vaksinave kundër COVID-19.

Megjithatë, të gjithë qytetarët duhet të kenë test negativë për koronavirus nëse duan të hyjnë në spitale dhe shtëpi të kujdesit, me qëllim që të mbrohen njerëzit që janë në rrezik të lartë, thuhet në draftin e dokumentit, të cilin e ka parë agjencia Reuters.

Rreth 69.9 për qind e popullsisë së Gjermanisë janë vaksinuar me dy doza të vaksinës dhe 23.8 për qind kanë marrë edhe dozën përforcuese.

Ministri i Shëndetësisë i Bavarisë, Klaus Holetschek u tha gazetarëve se Gjermania po vuan nga një mungesë e vaksinave, duke iu bërë thirrje autoriteteve që të përdorin “metoda jokonvencionale” – përfshirë edhe kontaktet e drejtpërdrejta me prodhuesit e vaksinave – në mënyrë që të rriten furnizimet me vaksina. Gjermania furnizohet me vaksina kryesisht përmes skemës së përbashkët të prokurimit të Bashkimit Evropian.

Sipas masave aktuale, personat që kanë marrë dy dozat e vaksinës ose e kanë kaluar virusin, duhet të kenë edhe teste negative për koronavirus në mënyrë që të mund të hyjnë në objekte që konsiderohen me rrezik të lartë të përhapjes së virusit, siç janë klubet e natës apo diskotekat.

Sikurse edhe shtetet e tjera evropiane, Gjermania po përballet me valën e katërt të pandemisë së koronavirusit. Të martën, autoritetet raportuan edhe për 473 vdekje të reja nga koronavirusi. Instituti për sëmundje ngjitëse, Robert Koch po ashtu raportoi për 30,823 raste të reja me koronavirus./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA