Anëtarët e Partisë Demokratike vazhdojnë të mbeten të ndarë në disa grupe në lidhje me idenë se kush duhet ta marrë drejtimin e partisë.
Një mendim të tillë e ndau këtë të hënë Edvin Kulluri në emisionin “Top Talk” në Top Channel me gazetarin Denis Dyrnjaja, ku sipas të cilit janë me mijëra anëtarë të Partisë Demokratike që dëshirojnë një zgjedhje të tretë, pra një kandidat tjetër nga Berisha dhe Basha.
“Unë kam dy muaj që e kam shpallur kandidaturën. Unë nuk kam bërë shaka. Të gjithë delegatët janë në një mendje që Lulzim Basha nuk mund ta drejtojë më partinë dhe PD nuk mund të funksionojë si një parti humbësish. Çështja e kryetarit të ri të partisë demokratike është një çështje që demokratët ndahen në një, dy dhe tre grupe. Ta them me siguri të plotë që janë me mijëra anëtarë të Partisë Demokratike që duan një zgjedhje të tretë, një kandidat tjetër nga Berisha dhe Basha”, tha ai.
Ai tha se sa i përket pikëpamjes së legjitimitetit por edhe anës ligjore, Lulzim Basha nuk ka asnjë shans për të qëndruar në krye të Partisë Demokratike. Kulluri mendon se PD nuk mund ta shohë realizimin e aspiratave të shqiptarëve në rajon dhe të interesit të vet pa një aleancë strategjike me SHBA-në.
“Këtë ta harrojnë të gjithë, kjo është e padiskutueshme. Kjo nuk negociohet”, tha ai.
Ndërsa për ish-kreun e PD-së të Kukësit, Ibsen Elezi kjo forcë politike ka premisa jo të qarta për t’u shndërruar në një forcë të vertetë konservatore dhe diçka e tillë u vu re edhe tek zgjedhja e 29 anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit. Ai tha se disa prej tyre janë sorosianë dhe ish-sigurimsa.
“Sali Berisha nuk është më në kushte komode që të mos mbajë fjalët e veta. Nuk ekziston asnjë mundësi që dikush të jetë në krye të PD-së dhe të konfrontohet me SHBA-në. Sali Berisha do ta gjejë një zgjidhje për këtë, edhe pse e para është largimi i Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike”, tha Elezi.
Sipas tij, në PD ka akoma njerëz që nuk e pranojnë poshtërimin dhe për këtë arsye nuk e pranojnë as lidershipin e kreut aktual të PD-së. Elezi mendon se një lideri i ri është i fortë dhe i besueshëm vetëm me garancinë për të sjellë ndryshim nëse arrin të fitojë betejën. Për të, Lulzim Bashës i janë dhuruar fitoret dhe prandaj nuk e njeh rëndësinë e tyre.
“Ka njerëz në Partinë Demokratike që s’e pranojnë poshtërimin, sepse në momentin që pranon jë poshtërim të tillë siç donte ta bënte Lulzim Basha, duke mos bërë asnjë analizë dhe pa ju referuar institucioneve të PD-së dhe qoftë edhe gjithë anëtarësisë. A ta japin të drejtën këta njerëz që të fillosh një betejë të re, ndërkohë që ka dështuar jo vetëm në zgjedhje, por në mënyrë permanente edhe në aksionet politike. Ne nuk e kemi pranuar këtë poshtërim, një pjesë e atyre që kanë shkuar sot e kanë pranuar një poshtërim të tillë”, tha ish-kreu i demokratëve të Kukësit.
Top Channel