Kryeministri britanik, Boris Johnson, njoftoi se ka humbur jetën pacienti i parë me variantin Omicron të koronavirusit.
Në një deklaratë gjatë vizitës në klinikën e vaksinimit në afërsi të rajonit Paddington në perëndim të Londrës, Johnson u shpreh: “Fatkeqësisht po, rastet me Omicron po shtrohen në spital dhe fatkeqësisht është konfirmuar se të paktën një person me Omicron ka humbur jetën”.
Ai ka tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë e vaksinave përforcuese në luftën kundër variantit Omicron. “Për mendimin tim duhet të vihet mënjanë mendimi se virusi është një version më i lehtë dhe duhet të ndërgjegjësohemi se ai vetëm po përshpejtohet brenda popullatës. Për këtë arsye gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të marrim të gjithë vaksinat përforcuese”, ka deklaruar Johnson.
“Varianti Omicron mund të shkaktojë 25 deri në 75 mijë vdekje”
Ministri britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid, ka vënë në dukje se varianti Omicron përhapet më shpejt se variantet e tjera dhe se deri në fund të këtij muaji në Britani mund të regjistrohen mbi 1 milion raste me Omicron.
Edhe ekspertët kanë paralajmëruar se në vend mund të humbin jetën nga 25 deri në 75 mijë persona nëse nuk merren masa të ashpra kundër variantit Omicron.
Për shkak të variantit Omicron qeveria britanike ka marrë vendim për të punuar nga shtëpia, vendosjen maskave në ambiente të mbyllura dhe zbatimin e masave për pasaportën e vaksinimit në hyrje të vendeve si klube nate.
Në vend dje u regjistruan 1.239 raste të Omicron dhe me rritjen më të lartë ditore të përcaktuar që nga shfaqja e këtij varianti në vend numri i rasteve Omicron është rritur në 3.137.
Britania, me 170 mijë vdekje është në pozicionin e vendit ku janë shënuar më shumë vdekje me burim COVID-19 në Evropë./AA/
Top Channel