Arrestime për vrasjen e studentëve/ Zbulohet arsyeja e krimit, autori punonte në gjykatë

13/12/2021 19:04

Mediat në Kosovë kanë vërshuar në informacione lidhur me tre personat e arrestuar nën dyshimin se kanë organizuar sulmin ndaj autobusit në Gllogjan, ku mbetën të vrarë shoferi dhe dy nxënës.

Mësohet se në pranga ka përfunduar Halil Mehmetaj, dhe dy djemtë e tij, Kreshnik dhe Malsor Mehmetaj.

Duke cituar burime të prokurorisë, shtypi vendas thotë se personi që ka hapur zjarr dyshohet të jetë Malsori, një i ri i diplomuar në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, dhe që për më tepër, që nga 24 prilli i vitit 2018 kishte filluar të punonte në Gjykatën Themelore të këtij qyteti.

Por, tani nuk ka të dhëna se ku punonte në Gjakovë.

Autoritetet vetë nuk i kanë bërë publike emrat e të arrestuarve, vetëm inicialet H.M, K.M dhe M.M.

Shënjestra e sulmit sipas tyre mund të ketë qenë vetëm shoferi, Gani Gjokaj, por nga të shtënat kanë mbetur të vrarë edhe dy nxënës.

Raportet në media tregojnë se Gjokaj mund të ketë qenë shkaku i vetëvrasjes së motrës së vëllezërve Mehmetaj, Heroinës, e cila qershorin e  vitit 2020 i dha fund jetës e dëshpëruar, me varje në litar.

Heroina kishte qenë duke ndjekur studimet në Fakultetin Juridik në Universitetin publik të Pejës, me një mesatare të shkëlqyer.

Asokohe u tha vetëm se ajo kishte varur veten, por nuk u tregua arsyeja e gjesti ekstrem i vajzës 20 vjeçare.

Familjarët ndërkohë këmbëngulin se Halili dhe djemtë e tij janë të pafajshëm.

Sipas tyre, ka shumë dëshmitarë që mund të pohojnë se si Halili dhe Malsori kanë qenë në vende të tjera kur ndodhi ngjarja, ndërsa vëllai tjetër ishte në shtëpi pas një operacioni.

Top Channel