Manchester United siguroi një tjetër fitore minimale në kampionat, mposhti 0-1 Norwich falë golit të Cristiano Ronaldos (75’) dhe i është bashkuar West Ham në vendin e katërt me 27 pikë, por “Çekiçët” numërojnë një ndeshje më pak.
Triumfi i dytë në Premier League për Ralf Rangnick me të njëjtin rezultat, me trajnerin gjerman që i ka rikthyer “Djajve të Kuq” stabilitetin në mbrojtje. Pjesa e parë ishte e luftuar, por pati vetëm dy raste nga ekipi mik.
CR7 veproi bukur në minutën e 38-të, por goditja e tij u prit nga Tim Krul. Në minutat shtesë të fraksionit të parë tentoi edhe Harry Maguire me kokë, por holandezi kreu një tjetër pritje të bukur. Pjesa e dytë ishte më e bukur. Finlandezi Pukki provoi reflekset e David De Gea (57’), teksa Ronaldo fitoi një penallti, me yllin portugez që mori përsipër ekzekutimin dhe dërgoi topin në rrjetë në minutën e 75-të.
Goli numër shtatë në Premier League për 36-vjeçarin, njëkohësisht golashënuesi më i mirë i United. Vendasit reaguan, por Kabak dhe Gilmour nuk ia dolën të gjejnë golin e barazimit. CR7 pati një shans të artë për të dyfishuar në minutën e 82-të, por nuk e shfrytëzoi asistin e Rashford, duke dërguar topin mbi traversë. Norwich tentoi barazimin deri në fund, por gola nuk pati më.
Përfundimisht 0-1 për skuadrën e Rangncik, që merr një trepikësh me vlera në fushën e Norwich, që mbetet në vend të fundit me 10 pikë, po aq sa kanë edhe Newcastle e Burnley.
Top Channel