SHBA, të paktën 80 të vrarë nga seria e tornadove që rrafshuan fabrikën në Kentucky (video-foto)

11/12/2021 16:24

Një seri tornadosh të fuqishme në Kentucky kanë shkaktuar më shumë se 80 të vdekur, tha sot guvernatori i shtetit amerikan. Të tjera vdekje janë raportuar në zonat qendrore e perëndimore të SHBA.

Governatori Andy Beshear tha për mediat vendase se numri i viktimave mund të arrijë deri në 100, pasi tornado i fuqishëm ka rrafshuar tërësisht një fabrikë në qytezën e Mayfield, me dhjetra punonjës brenda saj në kohën e goditjes.

Beshear përshkruante mbrëmjen e të premtes si “një nga më të rëndat në historinë e Kentucky,” teksa shtonte se “shumë zona janë goditur aq rëndë sa është e vështirë të përshkruhet me fjalë.”

Autoritetet lokale thonin se stuhitë e natës së të premtes mund të ishin më vrasëse e shkatërrimtare sesa tornado i viti 1974 që vrau 71 njerëz.

Beshear shpalli gjendjen e emergjencës duke kërkuar që Garda Kombëtare të ndihmojë me pasojat e katastrofës dhe që qeveria federale të shpallë gjendjen e emergjencës.

Në një nga zonat më të goditura Graves County, tornado shkatërroi gjykatën lokale dhe burgun pranë saj.

Autoritetet thanë se kishin dërguar dy konteinerë gjigantë me ujë” për të siguruar ujin e pijshëm në zonë.

Shkatërrimet në Kentucky u shkaktuan nga disa prej 24 tornadove që u raportuan në të paktën pesë shtete amerikane – Arkansas, Illinois, Kentucky, Missouri e Tennessee.

Stuhitë pritet të vazhdojnë në fundjavë me drejtim nga lindja, duke përfshirë mundësisht qytete si Nashville, Memphis, e Shreveport.

Në qytezën e Edwardsville, Illinois, një mur më shumë se 100 metra i gjatë u shemb së bashku me çatinë e një magazine të rrjetit Amazon duke zënë poshtë rreth 100 punonjës. Policia atje ka konfirmuar të paktën dy viktima dhe operacionet e shpëtimit e kërkimit vazhdojnë.

Në qytezën e Monette, Arkansas, tornado goditi një shtëpi të moshuarish duke vrarë të paktën dy njerëz e duke plagosur më shumë se 20 të tjerë.

Një autostradë ishte bllokuar nga kamionët e rrëzuar në Arkansas kurse në Kentucky kishte pezullime të linjave hekurudhore prej mortit të keq.

Të paktën 200,000 banorë kanë ndërprerje të energjisë elektrike, të cilat kanë përfshirë disa shtete të SHBA.

FOTO GALERI
1/9
Një seri tornadosh të fuqishme në Kentucky kanë shkaktuar më shumë se 80 të vdekur, tha sot guvernatori i shtetit

Top Channel