‘Isha gjithmonë kurioze’/ 104 vjeçarja indiane realizon ëndrrën duke mësuar të lexojë (fotot)

11/12/2021 18:00

Tashmë gazetat e përditshme janë ‘një gëzim’ i ri për Kuttiyamma, e cila nisi të merrte mësimet e leximit rreth një vit më parë.

Thuajse për një shekull, rutina e përditshme për 104 vjeçaren Kuttiyamma ishin gatimi, pastrimi dhe ushqimi i lopëve e pulave të shtëpisë.

Por tani ajo ka diçka tjetër që e motivon, teksa mezi pret shpërndarësin e gazetës që i sjell asaj çdo mëngjes të përditshmen lokale ‘Malayala Manorama’.

Për dy orë ajo zhytet në misterin e lajmeve të stampuara nëpër faqe, duke “u informuar” për atë që ndodh, ose të paktën për atë që të tjerët zgjedhin ta informojnë.

Por vetëm kohët e fundit Kuttiyamma arriti të realizojë ëndrrën e saj pasi mësoi të lexojë.

“Isha gjithnjë kurioze për lajmet në gazeta. Në shumë raste u lutesha më të rinjve të më tregonin çfarë shkruhej në to, gjithmonë kam dashur të mësoj të shkruaj emrin dhe adresën time”.

Pas disa muajsh mësimi mbrëmjeve në shkollën fillore të Kerala ajo u bë muajin e kaluar gruaja më e moshuar që merrte dëftesën.

Ajo arriti 89% të rezultateve në gramatikë dhe 100% në matematikë, duke marrë lavde dhe nga minsitri i arsimit të vendit.

Për afro 104 vjet Kuttiyama kishte qenë kurioze dhe kishte tentuar të mësonte vetë alfabetin.

“Arsimi për anëtarët femra të familjes nuk diskutohej në kohët kur unë isha e re”, thotë gruaja.

“Madje dhe djemtë ndalonin arsimin e tyre kur mbushnin nëntë vjeç pasi duhet të punonin në fushë. Prindërit e mi ishin punëtorë pa tokë dhe detyra ime të gatuaja, të laja dhe të kujdesesha për 11 vëllezërit e motrat e mia”, thotë Kuttiyamma e cila tashmë i ka vënë syrin mësimeve të klasës së katërt, të cilën fëmijët e kalojnë zakonisht kur janë dhjetë vjeç.

Në të përfshihen mësime në anglisht, mjedis e matematikë.

“Nuk mendoj se anglishtja është e vështirë. Do të përpiqem të arrij të marr 100% të notave në të gjitha provimet.’’

FOTO GALERI
1/3
Thuajse për një shekull, rutina e përditshme për 104 vjeçaren Kuttiyamma ishin gatimi, pastrimi dhe ushqimi i lopëve

Top Channel