Moti i keq dhe kryesisht era e fortë pengoi ankorimin e tragetit që mbërriti nga Brindisi në portin e Vlorës mëngjesin e të enjtes. 118 pasagjerë qëndruan për 17 orë në det. Kur zbritën ata treguan vështirësitë që kishin kaluar.
Ditën e enjte u pezullua edhe lundrimi për anijet e vogla dhe ato të peshkimit në Vlorë. Moti i keq dhe deti i trazuar ka sjellë probleme edhe në portin e Durrësit duke vonuar dhe anulluar disa tragete udhëtarësh.
Dy tragetet e linjës duhej të kishin mbërritur në portin e Durrësit mëngjesin e të enjtes në orën 08:00, po për shkak të motit ato janë nisur rreth orës 05.00 të mëngjesit nga Bari. Natën e kaluar edhe tragetet që do lundronin drejt portit të Barit kanë pasur probleme.
Njëri nga dy tragetet është nisur me 3 orë vonesë, rreth orës 02.00 të mëngjesit. Ndërkohë trageti tjetër i linjës së Barit nuk është nisur fare natën e kaluar për shkak të një problemi në sistemin e komandimit.
Top Channel