Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi ka reaguar pas vendosjes së sanksioneve amerikane ndaj krerëve të krimit të organizuar në veri të Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Në një postim në Facebook, Kamberi shkruan se Veselinoviq dhe Radojçiq janë të pandashëm nga pushteti aktual në Beograd dhe se nevojitet zgjerim i sanksioneve për bashkëpunëtorët e tyre në Serbi, të cilët po e pengojnë paqen, demokratizimin dhe përparimin e rajonit.
“Përpos në kuptimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vendimi i fundit pozitiv i Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja të Departamentit Amerikan të Thesarit ndaj grupit të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojçiqit, ka edhe më shumë rëndësi në kuptimin e tij politik.
Milan Radojçiq është zyrtarisht nënkryetar i Listës “Srpska” në Kosovë, strukturë kjo e kontrolluar dhe e dirigjuar drejtpërdrejtë nga pushteti i sotëm në Serbi. Po ashtu, mediat hulumtuese (si BIRN dhe KRIK) kanë ngritur disa herë afërsinë e Zvonko Veselinoviqit me pushtetarët e sotëm në Serbi. Me vite të tyre, kompanitë e Veselinoviqit dhe Radojçiqit kanë fituar zyrtarisht tenderë publik nga më të rëndësishmet prej pushtetit të sotëm në Serbi.
Prandaj, që këto sanksione të jenë edhe më efikase, ato duhen të zgjerohen ndaj bashkëpunëtorëve të tyre në Serbi, të cilët pengojnë paqen, demokratizimin dhe përparimin e rajonit”, shkruan Kamberi.
Top Channel