Joan Laporta premtoi publikisht se do ta përforcojë skuadrën gjatë merkatos së janarit. Në një video të transmetuar në rrjetet sociale, me “Camp Noun” në sfond, Laporta pohoi:
“Ndaj me ju zhgënjimin për eliminimin në Champions League. Të gjithë jemi dakord që ekipi i parë duhet të forcohet, problemi është se ka kontrata shumë të larta të trashëguara nga skuadra që nuk na japin hapësira për të manovruar. Po kërkojmë formulën për t’u përforcuar nw merkaton e dimrit dhe do ta gjejmë. Ajo që kërkoj nga ju është që të gjithë të rreshtohemi në të njëjtin drejtim”.
Pas humbjes në “Allianz Arena”, presidenti i Barcelonës i premtoi trajnerit Xavi Hernández se bordi i drejtorëve do të bënte gjithçka për të forcuar skuadrën në sulm. Siç u kuptua nga fjalët e Laportës, ideja është të afrohen dy lojtarë për repartin e avancuar në janar, për të zgjidhur problemin evident të produktivitetit të ulët para portës, që po vuan skuadra e Barcelonës. Në këtë kuptim, objektivi numër një i drejtuesve të Barcelonës vazhdon të jetë ish-sulmuesi Valencias, aktualisht pjesë e Manchester City-t, Ferran Torres.
Barcelona po përgatit një ofertë 45 milionë euro, plus 15 në formë bonusesh, për lojtarin spanjoll.
Megjithatë, te Citizens vazhdojnë të mendojnë se çmimi i lojtarit nuk bie nën 70 milionë. Filozofia e skuadrës së Guardiolës është e qartë në lidhje me largimet: nëse lojtari dëshiron t’i bashkohet Barcelonës, nuk do ta pengojnë, për sa kohë që oferta do të jetë në përputhje me politikën financiare të klubit.
Top Channel