Osmani: Mbi 13 mijë të vrarë, Serbia kishe qëllim zhdukjen e popullit tonë

10/12/2021 01:21

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dita ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të gjenocidit, 9 dhjetori, është moment reflektimi për rrugën e vështirë nëpër të cilën kemi kaluar dhe çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë tonë.

Osmani ka shkruar në Facebook se nuk mund t`ia kthejmë shpinën të kaluarës sonë.

“Do ta kujtojmë atë si një preventivë që gjërat e tilla të mos përsëriten në cilindo cep të globit. E parandalimi ka parakusht drejtësinë. Akte gjenocidi nga Serbia ndodhën në sytë e botës. Janë mbi 13 mijë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, për të cilët sot ndjejmë dhimbje, para të cilëve përkulemi dhe të cilët do të kujtohen përherë. Ata janë dëshmi e krimit të gjenocidit dhe e qëllimit të qartë të Serbisë për të na zhdukur nga faqja e dheut. Një nga shumë rastet që dëshmon këtë qëllim shfarosës është masakra e Poklekut.

Gjurmë të gjakut të 54 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, në mesin e të cilëve 24 fëmijë, ende janë të freskëta në bodrumin e shtëpisë në të cilën së pari u vranë, pastaj u dogjën dy herë radhazi. Trupat e njomë të fëmijëve, bashkë me familjet e tyre, ishin bërë shkrumb e hi, për ta bërë të pamundur identifikimin e për ta fshehur krimin mizor.

Ky krim kishte një qëllim të qartë: zhdukjen e popullit tonë nga faqja e dheut. Shfarosje e qëllimshme që përbën elementin kryesor të gjenocidit. Fëmijët e vrarë ishin të moshës gjashtë muajshe e deri në 17 vjeç. Ne që po e gëzojmë lirinë na mbetet mision që ta bëjmë të pamundurën që kryesit e këtij akti makabër dhe shumë masakrave të tjera të dalin para drejtësisë”, ka shkruar ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA