Osmani “ia plas” hapur Serbisë: Donte të zhdukte popullin tonë, ne nuk harrojmë

10/12/2021 12:37

9 dhjetori, dita ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të gjenocidit, ishte për presidentin e e Kosovës, Vjosa Osmani një moment reflektimi për rrugën e vështirë nëpër të cilën kanë kaluar dhe çmimi i lartë që paguan për lirinë.

Nuk mund t`i kthejmë shpinën të kaluarës sonë, ka shkruar ajo në Facebook.

Kryetarja e shtetit të Kosovës kujton në postimin e saj krimet e tmerrshme të ndodhura gjatë luftës, si për të treguar se ato nuk mund dhe nuk duhet t`i lihen harresës.

Duhet kujtuar që gjëra të tilla, thotë Osmani, të mos përsëriten në asnjë cep të globit.

Parandalimi ka parakusht drejtësinë. Akte gjenocidi nga Serbia ndodhën në sytë e botës. Janë mbi 13 mijë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, për të cilët sot ndjejmë dhimbje, para të cilëve përkulemi dhe të cilët do të kujtohen përherë”, u shpreh ajo.

Osmani tha më tej se viktimat janë dëshmi e krimit të gjenocidit dhe e qëllimit të qartë të Serbisë për t’i  zhdukur shqiptarët.

Një nga shumë rastet që dëshmon këtë qëllim shfarosës është masakra e Poklekut. Gjurmë të gjakut të 54 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, në mesin e të cilëve 24 fëmijë, ende janë të freskëta në bodrumin e shtëpisë në të cilën së pari u vranë, pastaj u dogjën dy herë radhazi”.

Kjo, sipas saj, u bë me qëllimin që trupat të mos identifikoheshin, e ata ta fshihnin krimin mizor.

Ky krim kishte një qëllim të qartë: zhdukjen e popullit tonë nga faqja e dheut. Shfarosje e qëllimshme që përbën elementin kryesor të gjenocidit. Fëmijët e vrarë ishin të moshës gjashtë muajsh e deri në 17 vjeç. Ne që po e gëzojmë lirinë na mbetet mision që ta bëjmë të pamundurën që kryesit e këtij akti makabër dhe shumë masakrave të tjera të dalin para drejtësisë”, ka shkruar  Osmani.

Top Channel