Takimi i Escobar në Tiranë, reagon ambasada amerikane: Fokusi i SHBA-së lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë

09/12/2021 18:43

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me vizitën e zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ky i fundit vizitoi sot më 9 dhjetor Shqipërinë, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë.

Ambasada e SHBA-ve thekson në një postim në Facebook se gjatë takimeve të tij, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar falënderoi Shqipërinë për partneritetin e saj të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe rikonfirmoi mbështetjen e fortë të SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në mesazhin e ambasadës, theksohet se Escobar vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, thotë ambasada, Escobar mirëpriti forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes si aleatë të NATO-s dhe krijimin e më shumë mundësive për tregti dhe investime.

Escobar mirëpriti gjithashtu punën e përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë për integrimin rajonal dhe global – veçanërisht kur të dyja vendet do të shërbejmë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në 2022.

Vizita e Escobar në Tiranë, vjen vetëm dy ditë para Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha, i cili është i shpallur ‘non  grata’ nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë.

Vetëm dy ditë më parë, ambasada e SHBA-së, tha se vizita e tij është për të konfirmuar gjithashtu vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Top Channel