Samiti për Demokraci/ Presidentja Osmani prezanton planet për forcimin e demokracisë në Kosovë: Pengojmë ndërhyrjen dhe propagandën ruse

09/12/2021 16:30

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, prezantoi sot në Samitin për Demokraci hapat që sipas saj, qeveria e Kosovës do të ndjekë për forcimin e demokracisë.

Në takimin që u zhvillua ‘online’, ku i pranishëm ishte dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, Osmani tha se Kosova ka një nga demokracitë më të reja por edhe më aktive në botë.

Osmani foli për një proces vettingu në Kosovë, që sipas saj do të rrënjosë integritetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin në zemër të sistemit të drejtësisë. “Ne zotohemi për miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të avancuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, vendosjen e ndalimit të udhëtimit për individët e huaj të përfshirë në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, ndalimin e financimit të qeverive të huaja për partitë politike dhe ndalimin e institucioneve publike që të përdorin teknologji të vëzhgimit nga prodhues jo të besueshëm”, tha Presidentja.

Ndër të tjera, ajo i kushtoi rëndësi forcimit të rolit të gruas në shoqëri, duke “ndërmarrë veprime për harmonizimin e të gjitha ligjeve përkatëse me dispozitat e ligjit për barazinë gjinore, për të garantuar vendin e duhur të gruas në institucionet publike dhe rolet vendimmarrëse. Do ta miratojmë një strategji kombëtare të guximshme kundër dhunës me bazë gjinore për ta zbatuar Konventën e Stambollit, për ta frenuar këtë epidemi përmes parandalimit dhe mbrojtjes dhe duke i rritur dënimet minimale për të pasqyruar peshën e rëndë të krimeve me bazë gjinore”.

Themelimi i Këshillit Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut ishte një tjetër pikë që Osmani prezantoi në Samitin për Demokraci, me qëllim “bashkimin e institucioneve publike dhe shoqërinë civile për të shtyrë përpara dhe monitoruar zbatimin e zotimeve tona”.

Me politikat që Kosova po ndjek dhe do të ndjekë, kundërshtohet ndërhyrja dhe propaganda ruse, për ta promovuar paqen në mbarë botën, theksoi Osmani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA