Mitsotakis takon Putin/ Presidenti rus: Shtrirja e NATO-s në Ukrainë e papranueshme për Rusinë

09/12/2021 01:34

Nuk kishte se si të mos pyetej kryeministri grek pas takimit dy orësh me presidentin rus Vladimir Putin, si një drejtues i një shteti anëtar të BE dhe Aleancës Euroatlantike për marrëdhëniet e tyre me Rusinë, vetëm disa orë pas samitit virtual aq të diskutueshëm të liderit rus me presidentin amerikan Joe Biden.

Duhen mbajtur hapur kanalet e komunikimit ka theksuar Mitsotakis, sepse mungesa e tyre, është më e keqe se mosmarrëveshja pasi gjithmonë lë vend për dyshime dhe shkakton tensione. Ne kërkojmë marrëdhënie të mira dypalëshe me Rusinë, pavarësisht se jemi 40 vjet anëtarë në BE dhe shumë të tjera, pjesë e NATO-s , duke zbatuar vendimet e përbashkëta.

“Rusia është pjesë e arkitekturës evropiane të sigurisë. Prandaj, një marrëdhënie funksionale në fund të fundit është në interes për të gjitha palët. Greqia, si anëtare e BE-se dhe NATO-s, ka një qasje me shumë kujdes në këto marrëdhënie dhe për këtë arsye nuk e fsheha shqetësimin tim për rigjallërimin e tensioneve në Ukrainë. Besoj se një konflikt atje nuk do të ketë fitues, do të ketë vetëm humbës”- tha Mitsotakis.

Perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, nënkupton dislokimin e trupave dhe bazave ushtarake atje, ose e thënë ndryshe një kërcënim me armë ishte përgjigjja e Vladimir Putin ndaj pyetjeve për samitin e djeshëm me homologun amerikan.

“Diskutuam për çështjet rajonale, konfliktin në juglindje të Ukrainës dhe një temë të ngjashme, e cila është shumë e ndjeshme për ne .E kam fjalën për shtrirjen e NATO-s në lindje duke përdorur Ukrainën, ndër të tjera, kjo është një pikë vendimtare. Për sigurinë ruse në terma afatmesëm dhe madje edhe strategjikë. Ne flasim për këtë gjatë gjithë kohës hapur, duke paralajmëruar partnerët tanë se kjo është e papranueshme për ne”- tha Putin.

Sa i përket marrëdhënieve me Greqinë, Putin vuri në dukje se Rusia siguron më shumë se 40% të nevojave të Greqisë për energji duke përmbushur detyrimet ndaj saj dhe BE-së dhe do të vazhdojë furnizimin e pandërprerë me gaz natyror.

Ai nënvizoi rritjen me 56% të tregtisë dypalëshe në nëntë muajt e parë të 2021, gati në nivelet para pandemisë si dhe investimet ruse në Greqi që arrijnë në 650 milionë dollarë dhe interesin për bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e infrastrukturës, investimeve dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë.

Putin ka a kujtuar gjithashtu ndihmën e Rusisë për shuarjen e zjarreve të mëdha gjatë verës në Greqi, si dhe ka shprehur falenderimet për njohjen nga ana e Athinës në verë të certifikatave ruse të vaksinimit me vaksinën Sputnik.

Top Channel